Opinionisti Rrahman Paçarizi sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka komentuar ndikimin e inteligjencës artificiale në komunikimin publik dhe gjuhën politike.
Paçarizi tha se, pavarësisht “çmendurisë” që sipas tij po e shoqëron zhvillimin e inteligjencës artificiale, ekziston edhe një aspekt pozitiv në mënyrën se si kjo teknologji prodhon përmbajtje.
Sipas tij, gjuha e përmbajtjeve të prodhuara me inteligjencë artificiale është shumë më e moderuar dhe më e përmbajtur sesa gjuha reale.
Sipas Paçarizit, inteligjenca artificiale mbështetet në modele më të arsimuara dhe më të strukturuara në komunikim, derisa kritikoi përfaqësuesit politikë që kërkojnë votën e qytetarëve, duke thënë se disa prej tyre kanë vështirësi edhe në shqiptimin e tingujve të caktuar.
“Por, në krejt këtë çmenduri të intelegjencës artificiale, është një diçka që mua po më duket pozitive, sepse gjuha e këtyre videove, e animacioneve të prodhuara me intelegjencë artificiale, është shumë më e moderuar, më e përmbajtur dhe më pak polarizuese, më pak e ndotur, më pak e kontaminuar sesa gjuha reale, sepse intelegjenca artificiale mbështetet në disa modele më të arsimuara, sesa përfaqësuesit të cilët kërkojnë votën e popullit e të cilët kanë edhe probleme reale edhe me identifikimin, shqiptimin e tingujve të caktuar dhe rrjedhimisht bëhen të dëmshëm, e të mos flasim për përmbajtjet që kanë telashe shumë serioze”, u shpreh ai./Klankosova.tv


