Tuesday, September 29, 2026
spot_img
HomeLajmeOperacioni “Shqiponja” në Isniq, Prokuroria kërkon paraburgim dhe arrest shtëpiak ndaj dy...

Operacioni “Shqiponja” në Isniq, Prokuroria kërkon paraburgim dhe arrest shtëpiak ndaj dy personave

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Sylejmon Osdautajt, ndërsa për Elton Osdautajn ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak, pas operacionit antidrogë të koduar “Shqiponja”, të zhvilluar më 28 shtator në fshatin Isniq të Deçanit.

Sipas Prokurorisë, ndaj dy të pandehurve ekziston dyshimi i arsyeshëm se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Në kërkesat e Prokurorisë thuhet se Osdautajt dyshohet se gjatë vitit 2026, në fshatin Isniq të Komunës së Deçanit, kanë kultivuar bimë të dyshuara të llojit Kanabis Sativa, me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope.

Sinjali raportoi më herët për operacionin e koduar “Shqiponja”, gjatë të cilit në pronën ku jetonte njëri prej të dyshuarve u zbuluan bimë të dyshuara kanabisi, marihuanë dhe pajisje që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen e substancës narkotike.

Burimet e Sinjalit bënë të ditur se Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë kishte pranuar informacione operative se në pronën e të dyshuarve mund të kishte bimë kanabisi të kultivuara.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit dhe marrjes së urdhrit të gjykatës, policia kishte zhvilluar bastisjen në pronën e Sylejmon dhe Elton Osdautajt.

Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar shtatë bimë Kanabis Sativa, të kultivuara në sera të improvizuara, me gjatësi nga rreth 100 deri në 180 centimetra.

Po ashtu, janë gjetur rreth 28 gramë substancë e dyshuar si marihuanë, një joint, një mulli, një peshore elektronike, filtra, letra mbështjellëse dhe dy telefona mobilë.

Në operacion kanë asistuar edhe njësi të tjera policore, përfshirë Njësinë e Reagimit të Shpejtë, krim-teknikën rajonale dhe stacionet policore në Deçan e Junik.

Të dyshuarit janë intervistuar lidhur me rastin dhe provat e sekuestruara, ndërsa pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit ndaj tyre ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Rasti po hetohet për veprat penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Kultivim i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT