Tre gjyqtarët e Panelit të Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të caktuar për të shqyrtuar çështjen e ish-krerëve të UÇK-së, kanë qenë pjesë edhe e trupave gjykuese në rastet e Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës, të njohur si “Cali”.
Paneli përbëhet nga Michele Picard, gjyqtare franceze dhe kryetare e Panelit, Kai Ambos, gjyqtar gjerman dhe anëtar, si dhe Nina Jorgensen, gjyqtare norvegjeze dhe anëtare.
Ata do të shqyrtojnë kërkesën e përbashkët të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për zgjatjen e afatit për paraqitjen e njoftimit për ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.
Të tre gjyqtarët janë caktuar nga Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.
Paneli është ngarkuar të vendosë për kërkesën e mbrojtjes, si dhe për çdo parashtresë tjetër të palëve që lidhet me njoftimin e ankesës kundër aktgjykimit në çështjen Thaçi dhe të tjerët.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


