Transportuesit e mallrave do të mund të qarkullojnë normalisht të hënën, më 27 korrik, pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se nuk do të ketë ndalesa apo kufizime për automjetet me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas njoftimit të ministrisë, kushtet e përcaktuara për aktivizimin e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit nuk pritet të plotësohen, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e nesërme.
“Bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, për nesër nuk pritet të plotësohen kushtet e përcaktuara në vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për zbatimin e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit”, thuhet në njoftim.
MIT ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës meteorologjike dhe do të njoftojë në kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë në rast se temperaturat arrijnë nivelin që kërkon zbatimin e masave kufizuese.
Vendimet për kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda zakonisht merren gjatë periudhave me temperatura të larta, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës rrugore dhe garantimin e sigurisë në trafik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


