Friday, April 24, 2026
spot_img
HomeLajmeNufi pret në takim Whitaker, diskutojnë për sigurinë rajonale

Nufi pret në takim Whitaker, diskutojnë për sigurinë rajonale

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, është pritur në një takim nga Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Në një reagim publik, ministri ka theksuar rëndësinë strategjike të partneritetit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta.

Ai është shprehur se Shqipëria mbetet e angazhuar për paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes aleatëve përballë sfidave të sigurisë.

Ministri Nufi ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara i japin Shqipërisë në forcimin e partneritetit strategjik dhe në rritjen e rolit të vendit në rajon.

Pas takimit, ministri ka publikuar një video ku shihet së bashku me ambasadorin Whitaker duke inspektuar Bazën Ajrore të Kuçovës, e cila është rinovuar me fonde të NATO-s.

Inspektimi është fokusuar te rëndësia e bazës si një element kyç për sigurinë rajonale dhe aftësia e Shqipërisë për t’u shndërruar në një nyje logjistike të aleancës.

Ky zhvillim vjen pas vizitës së ambasadorit Whitaker në Kryeministri, ku ai është takuar me Kryeministrin Edi Rama. Në atë takim është diskutuar partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, marrëdhëniet e shkëlqyera diplomatike e ushtarake, si dhe Samiti i NATO-s që do të mbahet vitin e ardhshëm në Tiranë.

Samiti pritet të shndërrojë Shqipërinë në pikëtakimin e aleancës më të madhe ushtarake në botë, duke reflektuar rolin e saj në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT