Tuesday, September 15, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Gjykim i përmasave të rralla për Masakrën e Mejës: 53...

LEX | Gjykim i përmasave të rralla për Masakrën e Mejës: 53 të akuzuar në mungesë, 53 avokatë sipas detyres zyrtare dhe 43 dëshmitarë

Një nga proceset më të mëdha për krime lufte në Kosovë ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku 53 persona po gjykohen në mungesë për Masakrën e Mejës dhe krimet e kryera në fshatrat e rajonit të Gjakovës.

Procesi gjyqësor drejtohet nga gjyqtarja Violeta Namani, ndërsa secilit prej 53 të akuzuarve i është caktuar nga një avokat sipas detyrës zyrtare.

Kështu, në këtë çështje janë angazhuar gjithsej 53 avokatë mbrojtës, të cilët do t’i përfaqësojnë të akuzuarit gjatë gjykimit që zhvillohet pa praninë e tyre.

Gjykimi në mungesë është propozuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pasi të akuzuarit kanë qenë të paarritshëm për organet e drejtësisë deri në ngritjen e aktakuzës.

Ata ngarkohen me krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare, përfshirë vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim të popullsisë.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur në dhjetor të vitit 2023, ndërsa ishte plotësuar në prill të vitit 2024.

Sipas Prokurorisë, aktakuza është ndarë në tri pjesë, varësisht nga roli që pretendohet se e kishte secili prej të akuzuarve në planifikimin, drejtimin dhe kryerjen e krimeve.

Në pjesën e parë përfshihen pesë të akuzuar, të cilët pretendohet se morën pjesë në planifikimin e Masakrës së Mejës dhe krimeve në fshatrat përreth.

Pjesa e dytë përfshin 11 persona që lidhen me strukturën komanduese dhe dhënien e urdhrave, ndërsa në pjesën e tretë janë përfshirë 37 të akuzuar, të cilët Prokuroria i konsideron ekzekutorë të drejtpërdrejtë të krimeve.

Në mbështetje të aktakuzës, Prokuroria Speciale ka propozuar dëgjimin e 43 dëshmitarëve, të cilët pritet të rrëfejnë për planifikimin e operacionit, lëvizjen e forcave serbe, ndarjen e burrave nga familjet dhe ekzekutimin e civilëve shqiptarë.

Njëri nga dëshmitarët kyç të Prokurorisë është Nikë Peraj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Jugosllave, dëshmia e të cilit ishte përdorur edhe në procedurat e Tribunalit të Hagës.

Sipas dëshmisë së tij, e cila është përfshirë në aktakuzë, në krime kishin marrë pjesë pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, rezervistë, pjesëtarë të mbrojtjes territoriale dhe formacione paraushtarake.

Në mesin e këtyre formacioneve përmenden edhe të ashtuquajturit “Frenkijevci”, të cilët, sipas pretendimeve të Prokurorisë, vepronin nën komandën e drejtpërdrejtë të MPB-së serbe.

Peraj kishte deklaruar se Momir Stojanoviq, në atë kohë shef i Departamentit të Sigurisë në Komandën e Korpusit të Prishtinës, kishte folur që në fillim të marsit të vitit 1999 për një plan për spastrimin etnik të popullsisë shqiptare në Komunën e Gjakovës.

Sipas aktakuzës, krimet u kryen në kuadër të operacionit të njohur si “Reka e Keqe”, i cili u zhvillua nga 27 deri më 29 prill 1999.

Prokuroria pretendon se forcat policore dhe ushtarake serbe, duke vepruar nën komandën e të akuzuarve, zhvilluan një sulm të gjerë dhe sistematik kundër popullsisë civile shqiptare.

Sulmi përfshiu Mejën, Korenicën, Junikun, Vogovën, Devën, Zhubin, Batushën, Kosharen, Molliqin, Brovinën, Nivokazin, Morinën, Berjahën, Ponoshecin, Pacajn, Dobroshin, Sheremetin, Rracajn, Stubllën, Necin, Smolicën, Popocin, Shishmanin, Babajn e Bokës, Ramocin, Rrypajn, Madanajn, Orizen, Duzhnjën, Guskën dhe Brekocin.

Më 27 prill 1999, forcat serbe pretendohet se i ndaluan kolonat e civilëve shqiptarë që ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe po lëviznin në drejtim të Shqipërisë.

Burrat dhe djemtë u ndanë nga gratë, fëmijët dhe të moshuarit, ndërsa qindra prej tyre u ekzekutuan. Trupat e shumë viktimave u bartën më pas në varreza masive në territorin e Serbisë, në përpjekje për fshehjen e krimit.

Në Masakrën e Mejës dhe krimet e lidhura me operacionin “Reka e Keqe” u vranë rreth 370 civilë shqiptarë, duke e bërë atë një nga masakrat më të mëdha të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Të 53 të akuzuarit ngarkohen se, përmes veprimeve dhe roleve të ndryshme, kanë shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare, përkatësisht nenin 3 të përbashkët të katër Konventave të Gjenevës dhe protokollet shtesë.

Për shkak se të akuzuarit nuk ndodhen në Kosovë dhe nuk janë vënë në dispozicion të institucioneve të drejtësisë, procesi po zhvillohet në mungesë të tyre, me mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.

Megjithatë, zhvillimi i gjykimit në mungesë nuk e përjashton të drejtën e secilit të akuzuar që, nëse arrestohet ose paraqitet para organeve të drejtësisë, të kërkojë realizimin e të drejtave që ia njeh ligji.

Me 53 të akuzuar, 53 avokatë mbrojtës dhe dhjetëra dëshmitarë të propozuar, procesi për Masakrën e Mejës pritet të jetë një prej gjykimeve më voluminoze dhe më komplekse për krime lufte të zhvilluara në Kosovë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT