Friday, August 21, 2026
spot_img
HomeLajmeNjë muaj paraburgim personin që dyshohet se posedonte mbi një kilogram marihuanë...

Një muaj paraburgim personin që dyshohet se posedonte mbi një kilogram marihuanë në Brezovicë

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit N.B., i dyshuar për posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Rasti ka ndodhur më 19 gusht 2026, rreth orës 23:30, në Brezovicë të Shtërpcës. Policia ishte njoftuar nga qytetarët se në një vilë të pabanuar ishte gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë vërejtur një person duke ikur në drejtim të malit. Pas ndjekjes, ata kanë ndaluar të pandehurin N.B., i cili ishte duke lëvizur me një skuter të tipit “NAS”.

Gjatë kontrollit, sipas gjykatës, atij i është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe dy peshore digjitale. Më pas është kontrolluar edhe një vilë e një familjari të tij, ku është gjetur një sasi tjetër e marihuanës.

Në total, nga i pandehuri dhe vendi i ngjarjes janë sekuestruar 1.063 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, të ndarë në disa qese.

Po ashtu, janë sekuestruar një çantë e zezë, dy peshore digjitale dhe një thikë metalike, për të cilat ekziston dyshimi se kanë qenë të destinuara për përgatitjen dhe ndarjen e substancës narkotike me qëllim të shitjes.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Ilir Bytyqi, pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorit dhe shkresave të lëndës, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale dhe ka caktuar ndaj N.B. masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese, por ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e tij.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT