Të paktën tetë persona janë shpëtuar pasi një hidroavion u detyrua të bënte një ulje të ashpër në lumin East, në qytetin e New Yorkut, kanë bërë të ditur autoritetet amerikane.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të New Yorkut, ekipet e emergjencës u njoftuan rreth mesditës me orën lokale për një avion të rrëzuar pranë marinës në East 23rd Street dhe FDR Drive në Manhattan.
Hidroavioni i tipit Kodiak 100 u gjet në pozicion të drejtë në ujë dhe më pas u tërhoq deri në breg. Tetë personat që ndodheshin në bord u nxorën të sigurt nga ekipet e shpëtimit, ndërsa dy prej tyre pësuan lëndime të lehta dhe refuzuan trajtimin mjekësor.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA), e cila ka nisur hetimet për incidentin, tha se piloti kreu një “ulje të ashpër”, duke bërë që një mbajtëse e krahut të avionit të thyhej.
Sipas mediave amerikane, avioni po vinte nga rajoni i njohur i Hamptons dhe po i afrohej bazës së hidroavionëve kur goditi një valë gjatë uljes, duke bërë që mjeti fluturues të anohej pjesërisht në ujë, shkruan BBC, përcjell Sinjali.
Ky është incidenti i dytë i ngjashëm në lumin East brenda pak javësh. Më 13 qershor, një tjetër hidroavion me dy persona në bord u dëmtua pasi u godit nga një valë e madhe gjatë tentativës për ngritje, ndërsa edhe atëherë ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin të sigurt pilotin dhe pasagjerin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


