Policia e Kosovës ka njoftuar për masa të shtuara sigurie dhe kufizime të përkohshme në trafik në prag të ndeshjes kualifikuese Kosovë–Turqi, e cila zhvillohet sonte në Prishtinë.
Sipas njoftimit, ndeshja finale e play-off-it për FIFA World Cup 2026 do të luhet më 31 mars 2026, me fillim nga ora 20:45, në stadiumin Fadil Vokrri.
Policia ka bërë të ditur se, duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të kësaj ndeshjeje, janë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe organizatorët, ndërsa do të ketë prani të shtuar policore në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”.
Me qëllim të lëvizjes së delegacioneve, lehtësimit të qarkullimit dhe mbarëvajtjes së ndeshjes, autoritetet kanë paralajmëruar bllokime të përkohshme të disa rrugëve lokale dhe nacionale, përfshirë rrugët: Tring Ismajli, Agim Ramadani, Eqrem Çabej, semaforat kryesore, bulevardi Bill Clinton, rrethi te Stacioni i Autobusëve, rruga Hekurudhat dhe rruga Tirana (drejt stadiumit). Ndërsa gjatë largimit nga stadiumi drejt aeroportit do të ketë kufizime në rrugën Tirana, Arbëri, rrugën Ahmet Krasniqi dhe autostradën drejt aeroportit.
Po ashtu, kufizime të përkohshme do të ketë edhe në perimetrin rreth stadiumit, përfshirë rrugën Luan Haradinaj (deri te Ministria e Drejtësisë) dhe rrugën Fehmi Agani.
Policia ka theksuar se këto bllokime do të jenë të përkohshme dhe do të realizohen në intervale kohore, varësisht nga lëvizjet zyrtare dhe nevojat për lehtësimin e trafikut rrugor.
Në fund, Policia e Kosovës u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren, të përdorin rrugë alternative kur është e mundur dhe të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke theksuar se siguria dhe mbarëvajtja e kësaj ngjarjeje sportive është përgjegjësi e përbashkët.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


