22 mësimdhënës të Shkollës së Mesme Teknike “Skender Luarasi” në Suharekë pretendojnë se janë dëmtuar financiarisht në procesin gjyqësor për realizimin e shtesave të kualifikimit, duke akuzuar avokatin e tyre, Zahir Hamza, për përllogaritje të gabuar të kërkesave.
Profesorët thonë se, megjithëse posedonin kualifikime të nivelit master ose diploma pesëvjeçare të barasvlershme me master, në padi u llogaritën me normën prej 27 për qind, që u takon bachelorëve, në vend të 35 përqindëshit.
Sipas përfaqësuesit sindikal Hilmi Haziraj, dëmi i përgjithshëm mund të arrijë deri në 60-70 mijë euro, ndërsa secili mësimdhënës mund të jetë dëmtuar mesatarisht rreth 2,500 deri në 3,000 euro.
Njëri nga profesorët, Xhevat Berisha, thotë se sipas përllogaritjeve të tij duhej të përfitonte mbi 5,300 euro, por në llogarinë bankare i janë transferuar rreth 2,100 euro.
Mësimdhënësit pretendojnë gjithashtu se nuk janë njoftuar me kohë për aktgjykimet, nuk kanë pasur qasje në dokumentet e lëndës dhe se avokati ua ka ndalur 10 për qind të mjeteve, pavarësisht se, sipas tyre, ishte zotuar se nuk do të merrte përqindje nga kompensimet.
Rasti është paraqitur edhe në Odën e Avokatëve, ku profesorët kanë ngritur dyshime edhe për vazhdimin e përfaqësimit të tyre pa autorizim të vlefshëm.
Nga ana tjetër, avokati Zahir Hamza i ka mohuar të gjitha akuzat. Ai thotë se gjykata ka vendosur drejt, pasi profesorët nuk kishin dorëzuar me kohë dëshmitë për kualifikimin master dhe se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me dokumentacionin e paraqitur.
Hamza pretendon gjithashtu se mësimdhënësit kanë qenë të informuar për tarifën prej 10 për qind dhe se për tri vjet nuk ka pranuar asnjë ankesë nga ta.
Ndiqni më poshtë kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë temë:
Ndiqeni emisionin e plotë:


