Pacientët që marrin trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) vazhdojnë të përballen me mungesën e barnave esenciale, duke u detyruar në shumë raste që t’i sigurojnë vetë medikamentet që duhet të ofrohen nga institucionet publike shëndetësore.
Por Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka hapur një tender për furnizim me barna nga lista esenciale, me qëllim të plotësimit të nevojave të institucioneve shëndetësore që veprojnë në kuadër të tij.
Sipas njoftimit zyrtar të prokurimit, vlera e parashikuar e kontratës arrin në 1,278,397.14 euro, ndërsa procedura është iniciuar si kontratë furnizimi. Tenderi përfshin furnizimin me barna të domosdoshme për trajtimin e pacientëve në repartet dhe klinikat e ndryshme të QKUK-së.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave apo kërkesave për pjesëmarrje është caktuar, më 22 qershor 2026, në ora 13:00, ndërsa njoftimi për kontratë është publikuar, më 27 maj 2026.
Ndryshe, mungesa e barnave esenciale ka qenë ndër problemet më të theksuara në sistemin shëndetësor në vend, duke krijuar vështirësi shtesë për pacientët dhe familjarët e tyre, të cilët shpesh detyrohen të përballojnë kosto të larta për blerjen e terapive në barnatore private./Indeksonline/


