Tri shtetase janë shpëtuar nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare pasi kishin dalë në det me kanoe dhe, për shkak të përkeqësimit të motit dhe kushteve të vështira detare, rrezikonin të mbyteshin në sektorin e Palasës.
Ngjarja ka ndodhur në sektorin e Palasës, ku gjatë patrullimit shërbimet e Policisë kanë konstatuar tri shtetaset në vështirësi.
Policia ka ndërhyrë menjëherë, duke u shkuar në ndihmë dhe duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg, pa rrezik për jetën.
Të tri shtetaset janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar punonjësit e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare për ndërhyrjen në kohë dhe ndihmën e dhënë.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë apeluar te pushuesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin në konsideratë kushtet atmosferike dhe detare dhe të shmangin daljen në det kur ato paraqesin rrezik për sigurinë e tyre.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


