Gjino Mulliqi, aktivisti lobues në ShBA sonte përmes një lidhje direkte në “Edicionin Special” në Klan Kosova ka folur lidhur me mospajtimet e sotme mes pozitës dhe opozitës lidhur me Bordin e Paqes.
Ai ka bërë apel që kjo çështje të mos zvarritet, duke u shprehur se nuk përçon mesazh të mirë.
“Çështja e Bordit të Paqes dhe futja e Kosovës në Bordin e Paqes, krah për krah me shtetet botërore, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është miku jonë kryesor në gjeopolitikën botërore dhe mendoj që ka qenë historike dhe bëj apel që këto gjëra teknike le të tejkalohen sa më shpejt që është e mundur dhe bëj apel që Kosova le të futet fuqishëm në Bordin e Paqes dhe me të gjitha mundësitë që mund ta ndikojë dhe ndihmojë Bordin e Paqes në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do ta përafrojë politikën e Kosovës me politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në krye me administratën e Presidentit Trump”, tha ai.
Lidhur me këtë, Mulliqi tha se shpreson të ketë qenë ndonjë çështje teknike, e cila është e tejkalueshme.
“Nuk përçon mesazh të mirë, unë po shpresoj që ka qenë ndonjë çështje teknike, apo ndonjë marrëveshje që duhet të rishikohet, ndoshta me ndryshim të fjalëve apo ndryshim të gjërave, mirëpo po shpresoj dhe prapë po bëj apel që kjo çështje të mos zvarritet, duhet të futet si e plotfuqishme në Kuvendin e Kosovës dhe me miratimin e Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës”, tha ai./Klankosova.tv


