Tre peshq të llojit “Ballgjëri” janë gjetur të ngordhur në Liqenin e Badovcit, ka njoftuar Shoqata e Peshkatarëve Sportivë Rekreativë “Krapi”.
Sipas shoqatës, dy prej peshqve vlerësohet të kenë peshë rreth 40 kilogramë, ndërsa i treti besohet se peshon mbi 50 kilogramë.
Pas informatave për peshqit e ngordhur, ekipi i shoqatës ka dalë në vendngjarje për të bërë verifikimet e para. Inspektimi është ndërprerë përkohësisht për shkak të orëve të vona dhe reshjeve të shiut, ndërsa pritet të vazhdojë për të përcaktuar shkaqet e ngordhjes.
Shoqata ka ngritur shqetësime edhe për sjelljen e pazakontë të kësaj specieje, e cila zakonisht qëndron në thellësi dhe nuk frekuenton ujërat e cekëta.
Sipas “Krapit”, vetëm tri ditë më parë njëri prej këtyre peshqve ishte filmuar i gjallë në një zonë me thellësi prej rreth një metër.
Shoqata ka bërë të ditur se do ta informojë publikun për rezultatet e verifikimeve dhe të dhënat e reja pas përfundimit të inspektimit në terren.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


