Tenderi për renovimin e objektit të depos së barnave nga Ministria e Shëndetësisë i është dhënë kompanisë që ka ofruar çmimin më të lartë dhe e cila nuk ka arritur as ta përfundojë projektin brenda afatit të planifikuar, edhe pse pagesa prej 1 milion e rreth 800 mijë euro ishte kryer, raporton Klankosova.tv
Gjetja e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin vjetor për ministrinë që udhëhiqet nga Arben Vitia, ka konstatuar mosrespektimin e afatit përfundimtar të punimeve sipas kontratës publike.
Operatori ekonomik që arriti ta fitojë këtë kontratë edhe pse kishte çmim më të lartë se kompanitë e tjera, ishte paraparë që punimet t’i përfundonte brenda 180 ditësh, nga 17 qershori deri më 17 dhjetor 2025.
Auditori ka gjetur se, edhe pse plani dinamik ishte pjesë e kritereve të vlerësimit gjatë prokurimit, kompania fituese nuk arriti ta përmbyllë projektin brenda afatit të paraparë, raporton Klankosova.tv
Për më tepër, në raport thuhet se operatori ekonomik, një ditë para përfundimit të afatit kontraktual, më 16 dhjetor 2025, kishte paraqitur kërkesë për rishikim të kushteve kontraktuale dhe zgjatje të afatit, duke pretenduar se Autoriteti Kontraktues nuk kishte përmbushur obligimet e tij.
Sipas ZKA-së, deri në fund të vitit 2025 ishin realizuar shpenzime në vlerë prej 1.79 milionë euro, ndërsa vlera totale e projektit ishte rreth 1.93 milionë euro.
“Nga nëntë (9) operatorë ekonomikë të përgjegjshëm, kontrata i është dhënë operatorit ekonomik i cili ka ofruar çmimin më të lartë në vlerë totale 1,770,554€, duke fituar përmes kombinimit të planit dinamik (180 ditë, nga 17.06.2025 deri më 17.12.2025) dhe garancionit 10-vjeçar. Edhe përkundër përcaktimit të planit dinamik në kontratë, më 16.12.2025 operatori ekonomik fitues ka paraqitur kërkesë për rishikim të kushteve kontraktuale dhe zgjatje të afatit të planit dinamik, duke arsyetuar se Autoriteti Kontraktues nuk i ka përmbushur obligimet e tij kontraktuale.
Sipas të dhënave financiare, deri në fund të vitit 2025 janë realizuar shpenzime në vlerë prej 1,779,376 €, ku përfshihen edhe pagesat nga kontrata për punë shtesë, nga buxheti total i projektit prej 1,935,595 €. Megjithatë, pavarësisht kalimit të afatit të planifikuar për përfundimin e punimeve, projekti nuk është përmbyllur, duke rezultuar në vonesa të konsiderueshme në zbatimin e kontratës, përkundër peshës së përcaktuar në vlerësimin e ofertave lidhur me planin dinamik. Shkaku i vonesave në realizim ishte mungesa në planifikimin dhe monitorimin e zbatimit të kontratës dhe mungesës së mekanizmave efektivë për sigurimin e respektimit të planit dinamik të ofertuar.” – thuhet në raport, transmeton Klankosova.tv
Auditorët kanë vlerësuar se vonesat kanë ardhur si pasojë e mungesës së planifikimit dhe monitorimit të mjaftueshëm të zbatimit të kontratës, si dhe mungesës së mekanizmave efektivë për respektimin e planit dinamik.
Kërkesa për rishikim të kushteve kontraktuale duke zgjatur afatin kohor pas nënshkrimit të kontratës cenon parimin e barazisë në trajtimin e operatorëve ekonomikë dhe integritetin e procesit të prokurimit. Për më tepër, vonesat në përfundimin e projektit ndikojnë në bartjen e obligimeve financiare në vitin pasues.
ZKA ka rekomanduar që Ministria e Shëndetësisë të forcojë mekanizmat e monitorimit të kontratave dhe të sigurojë respektim më rigoroz të afateve të përcaktuara gjatë procesit të prokurimit. /Klankosova.tv


