Rafael Leao mund të largohet nga Milani gjatë kësaj merkatoje, ndërsa një mundësi e re për të ardhmen e tij është shfaqur në Serie A.
Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, super-agjenti Jorge Mendes ia ka propozuar sulmuesin portugez Romës, pasi Milani po kërkon një klub të gatshëm për ta transferuar atë.
Raportohet se Mendes ka kontaktuar të hënën familjen Friedkin, që qëndron pas pronësisë së Romës, për t’ua prezantuar Leaon si një opsion për skuadrën italiane.
Në klubin kryeqytetas tashmë po e analizojnë mundësinë e transferimit të 27-vjeçarit dhe po vlerësojnë nëse ai përputhet me projektin e tyre për sezonin e ardhshëm.
Milani, ndërkohë, duket se ka ndryshuar qëndrim sa i përket vlerës së lojtarit. “Rossonerët” janë të gatshëm të pranojnë një shumë prej rreth 40 milionë eurosh, me bonuse të përfshira, për ta lënë Leaon të largohet.
Kjo situatë vjen në një periudhë kur Milani është shumë pranë sigurimit të shërbimeve të Diego Moreiras nga Strasbourg, në një transferim që pritet të kushtojë mbi 50 milionë euro.
Leao më herët kishte shprehur preferencën për një kalim në Premier League ose La Liga, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë ofertë konkrete që ta bindë. Galatasaray ishte përmendur gjithashtu si një nga klubet e interesuara për të, para se Mendes ta vendoste Romën në skenë.
Në sezonin 2025/26, Leao pati paraqitje të mira me fanellën e Milanit. Ai luajti 31 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke realizuar 10 gola dhe duke dhënë tri asistime.
Nëntë nga golat e tij u shënuan në Serie A, ndërsa një tjetër në Coppa Italia. Në total, portugezi grumbulloi 1,869 minuta lojë gjatë sezonit.
Edhe pse vazhdoi të kishte rol të rëndësishëm në formacionin e Milanit, drejtuesit e klubit duket se janë të gatshëm ta shesin atë, si pjesë e ndryshimeve që po bëhen në skuadër.
Roma po e shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të Leaos, por sulmuesi portugez nuk është alternativa e vetme që klubi po ndjek për krahët e sulmit.
“Verdhekuqtë” thuhet se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për kushtet personale me Malick Fofanën dhe tashmë po punojnë për marrëveshjen me Lyonin për transferimin e anësorit belg.
Tash mbetet të shihet nëse Roma do të vendosë të investojë rreth 40 milionë euro për Leaon, apo do të zgjedhë një tjetër opsion për përforcimin e repartit ofensiv.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


