Monday, September 7, 2026
spot_img
HomeLajmeMijëra njerëz në varrimin e Mlladiqit në Beograd – krimineli i dënuar...

Mijëra njerëz në varrimin e Mlladiqit në Beograd – krimineli i dënuar për gjenocid nderohet nga nacionalistët serbë

Mijëra njerëz janë mbledhur të hënën në Beograd për t’i dhënë lamtumirën e fundit Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të forcave serbe të Bosnjës, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mlladiqi, i njohur gjerësisht si “Kasapi i Bosnjës”, vdiq në moshën 84-vjeçare, ndërsa po vuante dënimin në burgun e Kombeve të Bashkuara në Hagë të Holandës.

Ai u shpall fajtor nga Tribunali i OKB-së për krimet e luftës për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës më 1995, ku u vranë rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë myslimanë. Masakra është cilësuar si krimi më i rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Fillimisht, një ministër i Qeverisë së Serbisë kishte deklaruar se Mlladiqit do t’i organizohej funeral shtetëror, por planet u ndryshuan pas kundërshtimeve nga disa liderë evropianë. Bashkimi Evropian dënoi të hënën glorifikimin e tij.

“Ratko Mlladiqi ishte një kriminel lufte i dënuar, i cili kishte kryer krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit”, thuhej në deklaratën e BE-së.

Sipas Brukselit, glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe rishikimi i historisë bien ndesh me vlerat themelore evropiane dhe nuk kanë vend në Bashkimin Evropian apo në vendet kandidate për anëtarësim.

Serbia është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012, ndërsa negociatat për anëtarësim janë ngadalësuar ndjeshëm gjatë periudhës së fundit.

Mlladiqi udhëhoqi forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992–1995 kundër forcave kroate dhe boshnjake. Nën komandën e tij, forcat serbe kryen fushata të dëbimit të dhunshëm të popullsisë joserbe në pjesë të Bosnjë-Hercegovinës.

Forcat e tij rrethuan edhe Sarajevën, gjatë një prej rrethimeve më të gjata të një kryeqyteti në historinë moderne, ku humbën jetën më shumë se 10 mijë persona.

Mlladiqi u arrestua në vitin 2011, 16 vjet pasi ishte akuzuar për herë të parë. Pas një procesi gjyqësor nëntëvjeçar, ai u dënua përfundimisht me burgim të përjetshëm në vitin 2021.

Pavarësisht dënimit për gjenocid, ai vazhdon të konsiderohet hero nga një pjesë e nacionalistëve serbë, veçanërisht në Republika Sërpska, entitetin e serbëve të Bosnjës, ku pas vdekjes së tij u organizuan tubime dhe ndezje qirinjsh.

Në ceremoninë e varrimit morën pjesë edhe disa zyrtarë të Qeverisë së Serbisë. Mes tyre ishin ministri i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, dhe ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiq, raportuan mediat lokale.

Ceremonia fetare u udhëhoq nga patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili tha se emri i Mlladiqit do të mbetej “thellë i gdhendur” në kujtesën dhe lutjet e një pjese të madhe të besimtarëve ortodoksë serbë.

Që herët në mëngjes, radhë të gjata u krijuan para kishës së vogël “Shën Luka”, ku njerëzit prisnin për të hyrë dhe për t’i bërë homazhe arkivolit. Në mesin e të pranishmëve kishte edhe veteranë të luftës, ndërsa disa persona mbanin flamuj me portretin e Mlladiqit.

Dhjetëra qytetarë kishin mbërritur disa orë para ceremonisë për të ndezur qirinj, ndërsa në ambientet përreth dëgjohej një kor përmes altoparlantëve.

Arkivoli u ruajt nga disa persona, kryesisht veteranë lufte, ndërsa familjarët e Mlladiqit, përfshirë bashkëshorten, djalin dhe nipërit e mbesat, qëndruan në kishë për të pranuar ngushëllime, raporton BBC, transmeton Sinjali.

Në një tjetër shenjë të mbështetjes ndaj tij, arkivoli i Mlladiqit ishte sjellë në Serbi javën e kaluar me një avion qeveritar. Ai u nxor nga avioni nga gjashtë ushtarë dhe ishte mbështjellë me flamuj.

Për personat që dëshironin të merrnin pjesë në homazhe, ishin organizuar edhe autobusë falas nga Bosnja dhe qytete të ndryshme të Serbisë.

Një natë para varrimit, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zvezda shpalosën një koreografi me portretin e Mlladiqit para derbit kundër Partizanit të Beogradit.

Por për familjet e viktimave dhe të mbijetuarit e luftës, ceremonia në Beograd ka rikthyer kujtime të dhimbshme.

Zdravka Gvozdjar, një grua nga Sarajeva, djali nëntëvjeçar i së cilës u vra nga forcat nën komandën e Mlladiqit gjatë rrethimit të qytetit, e cilësoi si “vërtet të tmerrshme” zhvillimin e funeralit në Beograd.

“Mlladiqi meritonte të fshihej përgjithmonë nga kujtesa, jo të promovohej si hero”, tha ajo për Reuters, duke shtuar se ai duhet të kujtohet vetëm si “kasap”.

Sipas Daniella Peled, redaktore në Institutin për Raportimin e Luftës dhe Paqes, pjesëmarrja e mijëra njerëzve në funeral tregon se Mlladiqi vazhdon të shihet nga një pjesë e shoqërisë serbe si simbol i krenarisë dhe sfidës kombëtare.

Peled, e cila ka ndjekur nga afër procesin gjyqësor ndaj Mlladiqit, tha se tribunali ndërkombëtar ka krijuar një dokumentim të detajuar historik të krimeve të tij.

Megjithatë, sipas saj, mediat serbe dhe sistemi arsimor nuk e kanë pasqyruar në mënyrë të plotë përmasën e krimeve dhe perspektivën e viktimave e të mbijetuarve.

Mediat proqeveritare në Serbi, sipas Peled, shpesh e paraqesin Mlladiqin si një ushtar besnik që thjesht kishte kryer detyrën e tij.

“Për shoqëritë pas konflikteve është jashtëzakonisht sfiduese të përballen me të kaluarën dhe të pranojnë përgjegjësinë për krimet e kryera”, tha ajo.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT