Jose Mourinho pritet të jetë trajneri i ardhshëm i Real Madridit, pasi ka arritur marrëveshje me klubin dhe presidentin Florentino Perez.
Lajmi është konfirmuar nga disa media të mëdha, përfshirë Marca, COPE dhe The Athletic, ndërsa njoftimi zyrtar nga klubi madrilen pritet të bëhet shumë shpejt.
Sipas raportimeve, Real Madridi do t’i paguajë Benficës rreth 3 milionë euro për ta shkëputur kontratën e Mourinhos me klubin portugez.
Portugezi rikthehet kështu te “Los Blancos”, ekip që e kishte drejtuar edhe në periudhën 2010-2013. Gjatë asaj kohe ai arriti ta fitojë titullin e La Ligës, por nuk ia doli të triumfojë në Ligën e Kampionëve.
Real Madridi e vlerëson Mourinhon edhe për autoritetin dhe ndikimin që ka në dhomën e zhveshjes, sidomos pas tensioneve të fundit dhe raportimeve për krijimin e disa grupeve të ndara brenda skuadrës.
Klubi madrilen tashmë pritet të jetë mjaft aktiv në afatin kalimtar veror, ku synon të bëjë disa përforcime, por edhe të largojë disa nga lojtarët aktualë.
Gjiganti spanjoll e mbylli sezonin pa trofe për të dytin vit radhazi, diçka që konsiderohet e papranueshme për një klub të këtij niveli, andaj drejtuesit synojnë rikthimin e ekipit në majat e futbollit sezonin e ardhshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


