Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë sot në forumin “Intelligence on the World, Europe and Italy”, që po zhvillohet në Cernobbio të Italisë, ku ka folur për sfidat me të cilat përballet Evropa dhe rëndësinë e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor.
Në panelin “Agjenda për Evropën”, Rama u ndal veçanërisht te nevoja që Bashkimi Evropian të forcojë autonominë në sektorët strategjikë, duke përmendur lëndët e para kritike.
Sipas tij, përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë proces do të mund të ndryshonte ndjeshëm situatën.
“Evropa nuk arrin autonominë e vet në lëndët e para kritike brenda kufijve të vet dhe në kuadrin kohor. Nëse Ballkani Perëndimor nuk do të përfshihet për të na futur brenda, situata mund të ndryshojë”, u shpreh Rama.
Kryeministri shqiptar përmendi edhe pasuritë natyrore të Shqipërisë, duke vënë theksin te rezervat e bakrit dhe duke kërkuar më shumë investime europiane.
“Shqipëria ka një rezervë të madhe bakri dhe po zbrazim Kinën që Europa të vijë”, tha Rama, raporton Top Channel, transmeton Sinjali.
Në një tjetër pjesë të fjalës, Rama foli për raportet e Shqipërisë me Rusinë, duke e shoqëruar deklaratën me humor.
“Jemi i vetmi vend në botë që nuk kemi pasur asnjë autoritet rus të na vizitojë dhe as nuk na merr malli. Jemi i vetmi vend në Evropë që nuk ka një investim të mirëfilltë dhe nuk na mungon”, deklaroi ai, përpara se të shtonte me batutë: “Po merr Putini në telefon”.
Rama u ndal edhe te procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai tha se, përpara zgjerimit, duhet të ndryshojë edhe vetë mënyra se si funksionon BE-ja.
“Unë nuk besoj se do të ketë ndonjëherë vend për ne në BE nëse diçka nuk do të ndryshojë në BE. Nuk besoj se 2027 do të na presë lumturisht me kompetencën e vetos, me kompetencën tonë”, tha kryeministri.
Sipas tij, integrimi gradual është mënyra më e përshtatshme për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, duke nisur nga bashkëpunimi konkret dhe tregu i përbashkët.
“Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda në BE dhe për ta nisur nga pjesa reale, që është tregu i përbashkët”, përfundoi Rama.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


