Më shumë se 1,000 raste të dhunës seksuale janë regjistruar në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus, ndërsa 89 për qind e tyre i atribuohen palës ruse, ka njoftuar Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Sipas një raporti të ri të OKB-së, 1,004 raste të dhunës seksuale janë dokumentuar nga 24 shkurti 2022, kur nisi ofensiva e plotë ruse në Ukrainë, deri në fund të korrikut.
“Jam thellësisht i shqetësuar nga frekuenca e këtyre akteve të shëmtuara dhe kam frikë se ato do të vazhdojnë në kontekstin e dhunës së pandërprerë që shohim çdo ditë në Ukrainë”, tha Komisioneri i Lartë Volker Turk në një deklaratë.
Raporti është bazuar në intervista konfidenciale me qindra viktima të dhunës së kryer nga të dyja palët, si dhe në dokumente gjyqësore dhe të dhëna zyrtare.
Sipas Danielle Bell, kreut të Misionit të Monitorimit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Ukrainë, numri i rasteve të dokumentuara përfaqëson vetëm një pjesë të realitetit.
“1,004 raste të dhunës seksuale u regjistruan nga 24 shkurti 2022, data e fillimit të ofensivës ruse në Ukrainë ”, thuhet në raport.
Nga të gjitha rastet e regjistruara, 89 për qind i atribuohen palës ruse, kryesisht pjesëtarëve të Forcave të Armatosura, administratës së burgjeve dhe shërbimeve të sigurisë kombëtare, ndërsa 11 për qind palës ukrainase.
Sipas OKB-së, këto abuzime “janë pjesë e një modeli tronditës torture, frikësimi dhe shtrëngimi që nga fillimi” i konfliktit.
Shumica e viktimave janë burra, kryesisht persona të mbajtur në qendrat e paraburgimit. Megjithatë, në shënjestër kanë qenë edhe gra dhe fëmijë, veçanërisht në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia.
“Aktet e dhunës së kryera përfshijnë përdhunim në grup, gjymtim gjenital, goditje elektrike dhe goditje në organet gjenitale, si dhe akte të tjera degraduese me natyrë seksuale”, theksoi UNHCR.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


