Saturday, September 19, 2026
spot_img
HomeLajmeMaratona bllokon nesër disa rrugë në Prishtinë e Fushë-Kosovë – këto janë...

Maratona bllokon nesër disa rrugë në Prishtinë e Fushë-Kosovë – këto janë alternativat

Disa rrugë në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, përfshirë një pjesë të autostradës, do të bllokohen të dielën, më 20 shtator, për shkak të organizimit të maratonës ndërkombëtare “Prishtina 2026”.

Policia e Kosovës ka njoftuar se bllokimi i qarkullimit do të nisë nga ora 09:00 dhe do të vazhdojë deri në përfundim të maratonës.

“Policia e Kosovës do të ndërpresë qarkullimin e automjeteve në rrugën Prishtinë – Fushë-Kosovë në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te nyja (kyçja në autostradën ‘Ibrahim Rugova’). Plani do të fillojë të zbatohet të dielën (20.09.2026), duke filluar nga ora 09:00 deri në përfundim të maratonës”

Policia ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e pjesëmarrësve dhe për menaxhimin e qarkullimit rrugor gjatë zhvillimit të maratonës.

Për të shmangur vështirësitë në trafik, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i ndjekin udhëzimet dhe të përdorin rrugët alternative.

1. Pejë – Prishtinë:
Ngasësit që udhëtojnë nga Peja në Prishtinë duhet të përdorin rrugën përmes Sllatinës – fshatit Magurë – Lipjan, e më pas të lidhen me rrugën nacionale Ferizaj – Prishtinë.

2. Pejë dhe Fushë-Kosovë:
Ngasësit që udhëtojnë nga Peja dhe Fushë-Kosova duhet të përdorin rrugën përmes Sllatinës – Bardh i Vogël – fshatit Kuzmin – Fushë-Kosovë.

3. Prishtinë/Veternik – Pejë/Aeroport:
Ngasësit që udhëtojnë nga Prishtina ose Veterniku drejt Pejës apo Aeroportit duhet të përdorin rrugën Prishtinë – Lipjan – Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.

4. Mitrovicë – Pejë/Aeroport:
Ngasësit nga Mitrovica drejt Pejës ose Aeroportit duhet të shfrytëzojnë autostradën nga Mazgiti në drejtim të Shkupit, të dalin në Lipjan dhe më pas të vazhdojnë përmes Rufcit të Ri – Poturocit – Magurës – Aeroportit.

5. Mitrovicë – Ferizaj:
Ngasësit që udhëtojnë nga Mitrovica drejt Ferizajt do të kenë lëvizje të lirë në rrugën nacionale, pa ndalesa.

6. Transporti publik:
Autobusët në relacionin Prishtinë – Fushë-Kosovë – Aeroport dhe në drejtim të Pejës nuk duhet të qarkullojnë në këtë rrugë gjatë kohës së garës, por duhet të përdorin rrugët alternative të përmendura më sipër.

Policia ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve për mbarëvajtjen e trafikut gjatë zhvillimit të maratonës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT