Friday, May 15, 2026
spot_img
HomeLajme“Lufta e Ekspertëve” – Debati që po ndan botën e futbollit para...

“Lufta e Ekspertëve” – Debati që po ndan botën e futbollit para finales së Ligës së Kampionëve!

Ndërsa finalja e Ligës së Kampionëve mes Arsenalit dhe PSG afrohet, studioja televizive është shndërruar në një fushëbetejë debatesh mes ekspertëve të futbollit.

Shkëndija e parë ra në podkastin Stick to Football, pak orë para ndeshjes gjysmëfinale të Arsenalit kundër Atlético Madrid.

Paul Scholes, ish-mesfushori legjendar i Manchester United, e sulmoi Arsenalin pa kursim:

“Ju e keni shkatërruar ndeshjen e parë. Zemra u tremb,” i tha ai drejtpërdrejt Ian Wright. Scholes shkoi edhe më larg:

“Ata e kanë humbur guximin në ndeshje të mëdha, si ajo ndaj City-t, i njëjti grup lojtarësh, i njëjti trajner.”

Ian Wright, një prej legjendave të Arsenalit dhe golashënuesi i dytë më i mirë i “Topçinjve”, shpërtheu. Të dy ngritën zërin, derisa Wright i tha Scholes ta mbyllte gojën. Diskutimi u bë viral menjëherë!

Por vetëm disa orë më vonë, Arsenali mundi Atletico Madridin 1-0, me golin vendimtar nga Bukayo Saka dhe u kualifikua për në finale.

Paralelisht, në Sky Sports, dy legjenda të Manchester United ranë në kundërshtim! Gary Neville, ish-kapiteni i kombëtares angleze dhe sot ndër zërat më të respektuar analitikë, deklaroi hapur se Arsenali do ta fitojë finalen ndaj PSG. Neville mbështeti argumentin e tij te shifrat, duke kujtuar se Arsenali nuk është mposhtur në 14 ndeshje të UEFA Champions League gjatë gjithë sezonit, dhe statistikisht është një nga skuadrat me mbrojtjen më të mirë në Evropë.

Në anën tjetër, Roy Keane, si gjithmonë, nuk u pajtua. Skepticizmi i tij ndaj Arsenalit, që sipas tij dështon në momentet vendimtare, është i njohur mirë, dhe ky debat mes tij dhe Neville është ndër klipet më të shikuara javët e fundit.

Megjithatë, ndër zërat më të rëndësishëm mbetet ai i Thierry Henry. Legjendë absolute dhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Arsenali, Henry është tani ekspert për CBS Sports, por i ndarë thellë brenda vetes për shkak se është francez. Vitin e kaluar, kur PSG e eliminoi Arsenalin në gjysmëfinale, Henry ishte i sinqertë:

“Jam pak i trishtuar. Por në fund të ditës, PSG-ja meritoi të kalojë tutje. Dhemb si tifoz i Arsenalit, por duhet t’i urojmë.”

Këtë vit, Arsenali është në finale, dhe dilema për Thierry Henry duket më e madhe se kurrë: a do të “guxojë” t’i qëndroj plotësisht besnik Arsenalit, edhe nëse kjo nënkupton humbje për Francën dhe Paris Saint-Germain?

Pyetja që në fund po shtrojnë të gjithë këta ekspertë është e thjeshtë: a është Arsenali gati për momentin më të madh të epokës moderne, apo pesha e trofeut të UEFA Champions League do të rëndojë mbi supet e “Topçinjve”?

Kampi i Paul Scholes thotë “jo”. Kampi i Gary Neville beson te londinezët. Ndërsa Thierry Henry duket diku në mes, me Ian Wright që “bërtet” më fort se të gjithë.

Finalja e UEFA Champions League 2026, Arsenal vs. PSG, luhet më 30 maj në Puskas Arena të Budapest.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT