Të gjithë pacientët që ishin trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës pas dyshimeve për helmim nga ushqimi janë liruar nga spitali.
Sipas të dhënave nga Klinika Infektive, nga data 10 korrik e deri tani, gjithsej 33 persona kanë marrë trajtim mjekësor pas rasteve të helmimit të dyshuar nga konsumimi i ushqimeve në rrjetet vendore të ushqimeve të shpejta.
Drejtoresha e Klinikës Infektive, Vera Berisha, ka bërë të ditur se nga analizat laboratorike, 19 pacientë kanë rezultuar pozitivë me Salmonella Enteritidis pas ekzaminimit të mostrave të koprokulturës.
Në mesin e rasteve të konfirmuara me salmonelë janë edhe dy pacientë nga rasti i helmimit në Han të Elezit.
Pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, të gjithë pacientët janë liruar dhe kanë vazhduar trajtimin në kushte shtëpie.
Institucionet shëndetësore dhe autoritetet përkatëse po vazhdojnë monitorimin e situatës për të përcaktuar burimin e infeksionit dhe për të parandaluar raste të tjera të ngjashme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


