Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj të akuzuarve në rastin e njohur si “Capat–Sekiraqët”, lidhur me përleshjen e armatosur të 1 shtatorit 2024 në lagjen Aktash, ku mbeti i vrarë Premtim Gashi dhe u plagosën disa persona.
Në seancën e sotme, dëshmitari ka deklaruar se kishte parë dy persona të maskuar, të armatosur me armë të gjata, të cilët, sipas tij, pasi e kaluan rrugën, hynë në lokalin “From” dhe shtinë në drejtim të Salih Sekiraqës.
“Kanë kaluar rrugën dy persona të maskuar, kanë pasur në duar armë të gjata dhe kanë hyrë në lokalin ‘From’. Kanë shtënë në drejtim të Salih Sekiraqës”, deklaroi dëshmitari.
Ai tregoi se pas të shtënave e kishte parë Salih Sekiraqën të shtrirë, ndërsa një armë ndodhej rreth gjysmë metri larg tij.
“Salih Sekiraqa ka qenë i shtrirë, armën e ka pasur rreth gjysmë metri larg dhe më tha: ‘Pshtum’”, dëshmoi ai.
Në Pallatin e Drejtësisë sot janë ndërmarrë masa të shtuara sigurie. Të akuzuarit që njihen si pjesëtarë të dy grupeve janë sjellë në gjykatore dhe janë vendosur në anë të kundërta, përballë trupit gjykues.
Sipas aktakuzës, konflikti dyshohet se kishte nisur brenda dhe para lokalit “From”, ndërsa përleshja me armë më pas ishte zhvendosur në rrugën “Gazmend Zajmi”. Si pasojë, Premtim Gashi kishte mbetur i vrarë, ndërsa në mesin e të plagosurve ishin edhe Korab Gashi, Salih Sekiraqa, Robert Llumnica dhe Fatos Abazi.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: Korab Gashit, Valdrin Ademit, Robert Llumnicës, Salih Sekiraqës, Fatos Abazit, Erd Marevcit, Endrit Llapashticës, Dardan Marevcit dhe Vesel Bunjakut. Ata ngarkohen me vepra të ndryshme penale që lidhen me vrasjen e rëndë, armëmbajtjen pa leje dhe manipulimin me prova.
Për Endrit Llapashticën dhe Dardan Marevcin, të cilët nuk ishin të arritshëm për organet e drejtësisë, gjykata kishte vendosur që procesi të zhvillohej në mungesë. Ndërkaq, Vesel Bunjaku është dënuar veçmas me shtatë muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë, pasi kishte pranuar fajësinë për manipulim me prova dhe armëmbajtje pa leje.
Gjykimi po zhvillohet në Departamentin e Krimeve të Rënda, para trupit gjykues të përbërë nga Festime Dermaku, Sulltane Hoti dhe Ertan Sejfulla.
Të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


