Tuesday, September 29, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Supremja shfuqizon pjesë të Rregullores së KQZ-së – konstatohet trajtim...

LEX | Supremja shfuqizon pjesë të Rregullores së KQZ-së – konstatohet trajtim i pabarabartë dhe cenim i së drejtës për barazi

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar si të themeltë padinë e një zyrtareje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shpallur të paligjshme dhe shfuqizuar pjesë të Rregullores së Brendshme të KQZ-së që lidhen me klasifikimin e vendeve të punës.

Paditësja N.M. iu drejtua Supremes duke kërkuar shfuqizimin e pjesshëm të Rregullores së Brendshme nr. 01/2026, përkatësisht pikës 5.2.3 të Shtojcës 1 dhe nenit 7 të saj.

Pas shqyrtimit të provave, deklarimeve të palëve dhe dispozitave kushtetuese e ligjore, Supremja konstatoi se paditësja ishte trajtuar në mënyrë të pabarabartë krahasuar me punonjës të tjerë të KQZ-së që ndodheshin në situatë të krahasueshme.

N.M. ushtronte pozitën e “Zyrtares së lartë për planifikim dhe hulumtime zgjedhore”, në kuadër të Divizionit për Trajnim dhe Analiza Zgjedhore.

Sipas gjetjeve të Gjykatës, me rregulloren e kontestuar disa pozita që më parë ishin të përfshira në të njëjtën klasë u riklasifikuan në klasë më të lartë dhe përfituan rritje page. Pozita e paditëses, ndërkaq, mbeti jashtë riklasifikimit dhe pa rritje page.

Supremja vlerësoi se arsyetimi i KQZ-së, sipas të cilit klasifikimi ishte bërë në bazë të përshkrimit të detyrave të punës, nuk ishte i mjaftueshëm pa një vlerësim konkret të pozitës së paditëses dhe krahasim me pozitat e riklasifikuara.

Gjykata theksoi se, nëse KQZ-ja pretendon se pozitat e tjera janë rivlerësuar sipas kritereve të caktuara, duhet të ekzistojë dokumentacion që tregon se cilat kritere janë përdorur dhe përse pozita e N.M. është lënë jashtë procesit.

As pretendimi se përgjegjësitë e pozitave të tjera dallojnë nga ato të paditëses nuk është konsideruar i mjaftueshëm për të arsyetuar trajtimin e ndryshëm, në mungesë të provave konkrete për elementet që janë marrë parasysh gjatë klasifikimit.

Në përfundim, Gjykata Supreme konstatoi se paditëses i ishte cenuar e drejta për barazi para ligjit dhe mbrojtje të barabartë ligjore, pasi ishte trajtuar ndryshe nga zyrtarë të tjerë në situatë të krahasueshme, pa arsyetim objektiv dhe të arsyeshëm.

Për këtë arsye, Supremja shpalli të paligjshme dhe shfuqizoi pikën 5.2.3 të Shtojcës 1, si dhe nenin 7 të Rregullores së Brendshme nr. 01/2026, të miratuar me Vendimin nr. 01/1444-2026 të 9 korrikut 2026.

Sipas vendimit, neni 7 kishte sjellë ndryshime në përshkrimin dhe klasifikimin e pozitave, duke mundësuar riklasifikimin dhe ndryshimin e detyrave për disa pozita, ndërsa pozita e paditëses kishte mbetur jashtë këtij procesi si në aspektin e klasifikimit, ashtu edhe të pagës.

LEX – Drejtësia nga Sinjali

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT