Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar nga një muaj paraburgim nëntë të pandehurve në rastin “Dosja 23”, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas njoftimit të gjykatës të publikuar më 29 shtator, vendimi është marrë nga Departamenti Special, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe aprovimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Gjykata e ka arsyetuar paraburgimin me rrezikun që të pandehurit, nëse lihen në liri, mund t’i shmangen ndjekjes penale dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Në këtë vlerësim, gjykata ka marrë parasysh se të pandehurit kanë nënshtetësi dhe vendbanim në Serbi, si dhe posedojnë pasaporta të këtij shteti. Sipas saj, këto rrethana krijojnë rrezik konkret të largimit për t’iu shmangur procedurës penale.
Një tjetër arsye për caktimin e masës është rreziku i ndikimit në prova dhe dëshmi, çka, sipas gjykatës, mund të pengojë administrimin e drejtë e të plotë të provave dhe zbardhjen e gjendjes faktike.
Nëntë të pandehurit dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, sipas nenit 142, lidhur me nenin 22 të ligjit penal të ish-RSFJ-së.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


