Wednesday, September 2, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Po mbahet gjykimi ndaj Boban Toniqit për krime lufte –...

LEX | Po mbahet gjykimi ndaj Boban Toniqit për krime lufte – në seancë marrin pjesë edhe dëshmitarët

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë është duke u mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj Boban Toniqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Toniqi është sjellë në sallën e gjykimit, ndërsa në seancën që po zhvillohet aktualisht po marrin pjesë edhe dëshmitarët e propozuar në këtë çështje penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Toniqi, i njohur me nofkën “Bellko”, akuzohet se gjatë luftës në Kosovë, në cilësinë e gardianit në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen e tij në Lipjan, në bashkëkryerje me ish-gardianë të tjerë, ka keqtrajtuar sistematikisht të burgosurit shqiptarë.

Prokuroria pretendon se të burgosurit janë torturuar dhe rrahur me shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte, janë lënë pa ushqim për disa ditë, janë fyer dhe janë kanosur me vdekje. Si pasojë, ata dyshohet se kanë pësuar lëndime trupore, dhunë psikike, ankth dhe frikë, si dhe cenim të rëndë të dinjitetit njerëzor.

Në një pikë tjetër të aktakuzës, Toniqi akuzohet se nga 24 maji deri më 10 qershor 1999, pas transferimit të të burgosurve nga Burgu i Dubravës në burgjet e Prishtinës dhe Lipjanit, së bashku me zyrtarë të tjerë kishte formuar një kordon, përmes të cilit pretendohet se ishin detyruar të kalonin të burgosurit shqiptarë dhe ishin goditur me mjete të ndryshme.

Aktakuza ndaj Toniqit është ngritur më 31 dhjetor 2025, ndërsa në shqyrtimin fillestar ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë.

Ai ngarkohet me veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, sipas nenit 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Toniqi konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT