Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në rastin që lidhet me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Sveçla është shpallur fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa Gjykata ka bërë të ditur se dënimi ndaj tij do të shpallet më 8 shtator.
Rasti lidhet me ngjarjen e 21 marsit 2018, kur gjatë seancës plenare për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ishte hedhur gaz lotsjellës brenda sallës së Kuvendit.
Sipas aktakuzës, Sveçla kishte aktivizuar dhe hedhur bombolën e gazit lotsjellës, duke detyruar deputetët dhe personat e tjerë të pranishëm të largoheshin nga salla, ndërsa seanca ishte ndërprerë.
Në fjalën përfundimtare, Prokuroria kishte kërkuar që Sveçla të shpallej fajtor, duke argumentuar se, sipas ekspertizës, bombola e gazit lotsjellës konsiderohet armë.
Sveçla ishte deklaruar i pafajshëm dhe kishte thënë se veprimi i tij ishte aktivitet politik për kundërshtimin dhe parandalimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit.
Pas aktgjykimit fajësues të shpallur sot, Sveçla do ta mësojë më 8 shtator llojin dhe lartësinë e dënimit që do t’i shqiptohet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


