Thursday, September 10, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Gjykata e liroi, Prokuroria e apeloi – Besnik Berisha në...

LEX | Gjykata e liroi, Prokuroria e apeloi – Besnik Berisha në Apel: Për katër vjet e torturuan psikikisht një njeri të pafajshëm

Në Gjykatën e Apelit është mbajtur seanca lidhur me ankesën e Prokurorisë kundër aktgjykimit lirues ndaj zyrtarit policor Bajram Rexhaj.

Gjykata Themelore e kishte liruar Rexhajn nga akuza, mirëpo Prokuroria e ka kundërshtuar aktgjykimin, duke kërkuar ndërhyrjen e shkallës së dytë.

Në seancën e Apelit, avokati mbrojtës Besnik Berisha kërkoi që ankesa e Prokurorisë të refuzohet dhe vendimi lirues i Themelores të vërtetohet.

Berisha tha se Rexhaj dhe familja e tij janë përballur për katër vjet me pasojat e këtij procesi penal.

“Për katër vjet e torturuan psikikisht një njeri të pafajshëm”, deklaroi Berisha para kolegjit të Apelit.

Ai kundërshtoi edhe mënyrën se si ishin siguruar provat, duke theksuar se ligjvënësi ia ka ndaluar simuluesit ta nxisë një person për ta kryer një veprim që nuk do ta ndërmerrte vetë pa ndikimin e tij.

Sipas mbrojtjes, veprimet që i atribuohen Rexhajt nuk do të kishin ndodhur pa ndërhyrjen e simuluesit, ndaj provat e siguruara në këtë mënyrë nuk mund të shërbejnë si bazë për shpalljen e tij fajtor.

Berisha pretendoi se Gjykata Themelore i kishte vlerësuar drejt provat dhe rrethanat e rastit kur kishte marrë aktgjykim lirues ndaj klientit të tij.

Në anën tjetër, Prokuroria e ka goditur me ankesë vendimin e shkallës së parë, duke kërkuar ndryshimin ose anulimin e tij.

Pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, Gjykata e Apelit pritet të marrë vendim lidhur me ankesën e Prokurorisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT