Friday, September 4, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Dosja e Telekomit: Dy të akuzuar pranojnë fajësinë, seanca shtyhet...

LEX | Dosja e Telekomit: Dy të akuzuar pranojnë fajësinë, seanca shtyhet shkaku i mungesës së avokatëve

Dy nga të pandehurit në dosjen që lidhet me përfitimin e telefonave mobilë nga Telekomi i Kosovës kanë pranuar fajësinë, ndërsa seanca gjyqësore është shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, raporton Sinjali drejtpërdrejt nga Pallati i Drejtësisë.

Para gjyqtares së Departamentit Special, Violeta Namani, fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen e kanë pranuar të pandehurit Denis Çeman dhe Gazmend Hyseni.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar edhe Trim Musliu, Kreshnik Musliu, Armend Osaj, Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi. Limani nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa Prokurorinë Speciale e përfaqësoi prokurori Bekim Koraliu.

Sipas aktakuzës, Denis Çeman, Trim Musliu dhe Kreshnik Musliu dyshohet se kanë përpiluar dokumentacion të falsifikuar, me qëllim që ai të përdorej si dokumentacion origjinal në Telekomin e Kosovës.

Prokuroria pretendon se përmes këtij dokumentacioni synohej përfitimi i 164 telefonave mobilë, në vlerë të përgjithshme prej 164 mijë e 847 euro e 83 centë.

Në aktakuzë thuhet se në formularët me logon e “Vala”-s ishin vendosur emrat e disa qytetarëve, duke i paraqitur sikur kishin aplikuar për telefona për bizneset e tyre. Sipas Prokurorisë, disa prej këtyre personave nuk kishin pranuar asnjë telefon.

Ndërkaq, Armend Osaj akuzohet se, përmes dokumentacionit të falsifikuar, ka mundësuar përfitimin e 48 telefonave mobilë, në vlerë prej 32 mijë e 692 euro e 32 centë. Ai ngarkohet për veprat penale “Përvetësimi në detyrë” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Pavarësisht pranimit të fajësisë nga dy të pandehurit, gjykata nuk ka mundur të vazhdojë me shqyrtimin për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës. Për këtë arsye, seanca është shtyrë për një datë tjetër.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT