Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është deklaruar i pafajshëm në përfundim të rigjykimit për rastin e njohur si “53-milionëshi”, raporton Sinjali drejtpërdrejt nga salla e gjykimit.
“Jam i pafajshëm”, ka deklaruar shkurt Lekaj para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Speical pasi palët paraqitën fjalët përfundimtare.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që Lekaj dhe të akuzuarit e tjerë të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Prokurori ka deklaruar se mbetet pranë aktakuzës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke theksuar se ajo është plotësuar dhe konkretizuar gjatë rigjykimit.
Prokuroria ka kërkuar gjithashtu që, krahas dënimit, të akuzuarve t’u ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike.
Në këtë proces janë administruar si prova ekspertiza e re financiare dhe superekspertiza, ndërsa Pal Lekaj gjatë procedurës kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje.
Rasti lidhet me ndarjen e mbi 53 milionë eurove shtesë për konsorciumin “Bechtel-Enka”, për autostradën “Arbën Xhaferi”.
Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, pritet që Gjykata të caktojë shpalljen e aktgjykimit
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


