Fatmir Sheholli është deklaruar sërish i pafajshëm në shqyrtimin gjyqësor që po mbahet ndaj tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku përballet me akuzat për spiunazh dhe shantazh.
Në seancën e sotme po paraqiten fjalët hyrëse të palëve.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Sheholli dyshohet se, deri më 9 tetor 2025, ka vepruar si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si BIA, duke zbatuar urdhrat dhe detyrat e zyrtarëve të tij.
Prokuroria pretendon se ai ka mbledhur dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike informacione e dokumente për aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Akuza për shantazh lidhet me periudhën nga viti 2022 deri në dhjetor 2025. Sipas Prokurorisë, Sheholli dyshohet se e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke i shkaktuar dëm pasuror që tejkalon 13 mijë euro.
Në aktakuzë pretendohet se paratë i kërkoheshin në emër të huazimit, nën kërcënimin se, nëse nuk i jepte, do t’i publikoheshin në media video-incizime dhe informacione që do t’ia dëmtonin reputacionin.
Sheholli i ka mohuar akuzat, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij po vazhdon.


