Tuesday, September 22, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Aktakuza për krim të organizuar me mbi 40 kilogramë narkotikë...

LEX | Aktakuza për krim të organizuar me mbi 40 kilogramë narkotikë – krejt çfarë ndodhi në seancë, eksperti financiar përballë pyetjeve të prokurorit dhe avokatit Besnik R. Berisha

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj Fatmir Muslijit dhe Brahim Xhemajlit, të akuzuar për krim të organizuar lidhur me narkotikët. Në seancën e sotme është dëgjuar eksperti financiar, i cili u është përgjigjur pyetjeve të prokurorit dhe mbrojtësit të Muslijit, avokatit Besnik R. Berisha, raporton Gazeta Sinjali.

Gjatë shqyrtimit u diskutua për një shumë prej 75 mijë eurosh, duke u ngritur çështja nëse Ahmet Baftiu ia kishte transferuar këto mjete djalit të tij.

Pjesë e pyetjeve të mbrojtjes ishte edhe njohja e bazës ligjore që rregullon marrëdhëniet e qirasë. Berisha e pyeti ekspertin financiar nëse mund të përmendte emrin e një ligji që rregullon marrëdhëniet ndërmjet qiradhënësit dhe qiramarrësit.

Eksperti u përgjigj: “Jo”.

Musliji dhe Xhemajli akuzohen për veprën penale “Krimi i organizuar”, lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.

Sipas aktakuzës, ata pretendohet se kanë vepruar si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar, me qëllim të përfitimit financiar nga shitja dhe transportimi i heroinës. Prokuroria e ngarkon Muslijin me formimin dhe organizimin e këtij grupi.

Në përshkrimin e akuzës përmendet organizimi i transportimit dhe shitjes së mbi 40 kilogramëve heroinë drejt Gjermanisë, përmes rrugëve tokësore të disa shteteve, ndërsa një pjesë më e vogël pretendohet se ishte shitur në tregun e Kosovës.

Dosja përmban edhe pretendime për dërgesa të veçanta. Në njërin episod përshkruhet organizimi i shitjes së 517 gramëve heroinë në Gjermani për 8 mijë euro, ndërsa në një tjetër shitja e dy kilogramëve për 32 mijë euro në Freiburg.

Një episod tjetër lidhet me gushtin e vitit 2011, kur Musliji pretendohet se kishte organizuar shitjen e pesë kilogramëve heroinë për 80 mijë euro.

Sipas akuzës, narkotikët mbaheshin në shtëpinë e Xhemajlit, i cili akuzohet se i maste dhe i paketonte për shitje. Prokuroria pretendon gjithashtu se Musliji përdorte numra të ndryshëm telefoni për organizimin e dërgesave. (kallxo.com)

Rasti ka kaluar më herët në rigjykim. Më 13 shkurt 2018, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Muslijin me dhjetë vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë, ndërsa Xhemajlin me katër vjet e gjashtë muaj burgim dhe 4 mijë euro gjobë.

Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte anuluar atë aktgjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Në këtë rast ishte i akuzuar edhe Zijadin Gashi, ndaj të cilit procedura ishte pushuar pas vdekjes së tij.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT