Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj Fatmir Muslijit dhe Brahim Xhemajlit, të akuzuar për krim të organizuar lidhur me narkotikët. Në seancën e sotme është dëgjuar eksperti financiar Naim Rucinovci i cili u është përgjigjur pyetjeve të prokurorit dhe mbrojtësit të Muslijit, avokatit Besnik R. Berisha, raporton Gazeta Sinjali.
Gjatë shqyrtimit u diskutua për një shumë prej 75 mijë eurosh, duke u ngritur çështja nëse Ahmet Baftiu ia kishte transferuar këto mjete djalit të tij.
Pjesë e pyetjeve të mbrojtjes ishte edhe njohja e bazës ligjore që rregullon marrëdhëniet e qirasë. Berisha e pyeti ekspertin financiar nëse mund të përmendte emrin e një ligji që rregullon marrëdhëniet ndërmjet qiradhënësit dhe qiramarrësit.
Eksperti u përgjigj: “Jo”.
Musliji dhe Xhemajli akuzohen për veprën penale “Krimi i organizuar”, lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.
Sipas aktakuzës, ata pretendohet se kanë vepruar si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar, me qëllim të përfitimit financiar nga shitja dhe transportimi i heroinës. Prokuroria e ngarkon Muslijin me formimin dhe organizimin e këtij grupi.
Në përshkrimin e akuzës përmendet organizimi i transportimit dhe shitjes së mbi 40 kilogramëve heroinë drejt Gjermanisë, përmes rrugëve tokësore të disa shteteve, ndërsa një pjesë më e vogël pretendohet se ishte shitur në tregun e Kosovës.
Dosja përmban edhe pretendime për dërgesa të veçanta. Në njërin episod përshkruhet organizimi i shitjes së 517 gramëve heroinë në Gjermani për 8 mijë euro, ndërsa në një tjetër shitja e dy kilogramëve për 32 mijë euro në Freiburg.
Një episod tjetër lidhet me gushtin e vitit 2011, kur Musliji pretendohet se kishte organizuar shitjen e pesë kilogramëve heroinë për 80 mijë euro.
Sipas akuzës, narkotikët mbaheshin në shtëpinë e Xhemajlit, i cili akuzohet se i maste dhe i paketonte për shitje. Prokuroria pretendon gjithashtu se Musliji përdorte numra të ndryshëm telefoni për organizimin e dërgesave.
Rasti ka kaluar më herët në rigjykim. Më 13 shkurt 2018, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Muslijin me dhjetë vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë, ndërsa Xhemajlin me katër vjet e gjashtë muaj burgim dhe 4 mijë euro gjobë.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte anuluar atë aktgjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke e kthyer çështjen në rigjykim.
Në këtë rast ishte i akuzuar edhe Zijadin Gashi, ndaj të cilit procedura ishte pushuar pas vdekjes së tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


