Wednesday, July 29, 2026
spot_img
HomeLajmeLDK-ja kërkon hetim nga Prokuroria për presionet ndaj delegatëve

LDK-ja kërkon hetim nga Prokuroria për presionet ndaj delegatëve

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar hetim nga Prokuroria pas publikimit të audio-incizimeve ku pretendohet se një zyrtar i Komunës së Prishtinës i ofron punësim për bashkëshorten e një zyrtari të LDK-së, në këmbim të votës për rrëzimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

Në këto audio-incizime përmendet shefi i grupit të asamblistëve të LDK-së, Egzon Pacolli, një zyrtar i Komunës së Prishtinës dhe një delegat i LDK-së.

Pas publikimit të tyre, LDK-ja ka paralajmëruar masa ndaj zyrtarëve të përfshirë dhe ka bërë të ditur se do të iniciojë procedura statutare dhe disiplinore.

“Organet kompetente të LDK-së do të iniciojnë menjëherë dhe pa asnjë vonesë, procedurat statutare dhe disiplinore ndaj këtyre anëtarëve të LDK që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Po ashtu, kjo parti i ka bërë thirrje Prokurorisë që të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore lidhur me elementet e veprave penale.

“Njëkohësisht, ftojmë organet e drejtësisë, në veçanti Prokurorinë, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të vendosur përgjegjësi ligjore mbi elementet e veprave penale”.

LDK-ja ka deklaruar se dënon ashpër çdo formë presioni, shantazhi apo kërcënimi ndaj delegatëve të Kuvendit të saj.

“Pamjet e publikuara në opinion, në të cilat pretendohet ushtrimi i presionit nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës ndaj një delegati të LDK-së, përmes kërcënimeve që lidhen me vendin e punës së një anëtari të familjes së tij, paraqesin një sjellje të papranueshme të këtyre zyrtarëve publikë dhe janë në kundërshtim të plotë me vlerat, parimet dhe Statutin e LDK-së, si dhe me ligjin”.

Subjekti politik më i vjetër në vend ka theksuar se nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes, integritetin e proceseve demokratike dhe dinjitetin e anëtarëve të saj.

Ndërkohë, Kuvendi i LDK-së pritet të mbahet të enjten, me kërkesë të shumicës së anëtarëve të partisë, pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, i cili është vlerësuar si i dobët.

Ky Kuvend do të mbahet me një kërkesë të vetme: shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit të LDK-së.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT