Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se kontrata kolektive po vazhdon t’i shkaktojë dëme të mëdha financiare komunës, duke theksuar se vetëm këtë vit nga buxheti komunal janë marrë 4 milionë e 540 mijë euro përmes procedurave përmbarimore.
Sipas tij, nëse krahasohen edhe vitet e kaluara, shuma e mjeteve të marra tejkalon 10 milionë euro.
“Po është dëmtuar shumë secila komunë e Republikës së Kosovës, po jemi te Komuna e Rahovecit meqenëse këtu jemi ne. Vetëm këtë vit janë 4 milionë e 540 mijë euro. Vetëm këtë vit! E në qoftë se e krahasojmë me vitin e kaluar, vitet e paraprake, kanë kaluar 10 milionë. 10 milionë më pak, pak punë mundesh me bë. E me t’i marrë dikush siç po na i marrin, e me procedura përmbarimore të Thesarit të Shtetit, atëherë domethënë në njëfarë mënyre është një lloj paralizimi, është një lloj pamundësie e operimit me sukses të komunave, në këtë rast të komunës sonë”, tha Latifi.
Ai shtoi se pjesa dërrmuese e mjeteve të marra lidhet me kontratën kolektive, duke theksuar se kjo po krijon pasoja zinxhirore për funksionimin e komunës dhe realizimin e obligimeve ndaj operatorëve ekonomikë.
“Po janë… tash 4 milionë e 540 mijë euro. Pjesa më e madhe është e kontratës kolektive, pjesa dërrmuese e parave janë për shkak të kontratës kolektive. Ndërsa kontrata kolektive po krijon pasoja zinxhirore. Tash, në qoftë se ai t’i merr përmes kodeve të investimeve, mallra-shërbimeve, subvencioneve nga kontrata për me përmbushë kontratat kolektive, ti atij që ke planifikuar me ia dhanë paratë me pagu faturat, atij operatorit ekonomik që ka kontratë, ai tash mbetet pa para. E ai çon te përmbaruesi, dhe ai t’i merr tash”, tha Latifi në një intervistë për Ekonomia Online, transmeton Klankosova.tv.
Latifi tha se pasojat e kësaj situate po i bartin komunat dhe qytetarët, duke theksuar se kjo po ndikon drejtpërdrejt në realizimin e projekteve komunale.
“Pra, pasojat efektivisht, fatkeqësisht në rastin konkret janë zinxhirore dhe kjo është situatë shumë rënduese për autoritetet komunale, për qytetarët e komunës, për ekzekutivin e komunës e mbi të gjitha po penalizohen qytetarët e komunës që presin, ose pritjet i kanë për veprime më të mëdha, për projekte, për përmbushje të projekteve dhe normalisht edhe për sepse tek e fundit atyre nuk i intereson. Atyre këto para u është dashur me i paguar. Qeveria është dashur me siguruar fondet qeveritare, mirëpo ja që komunat po e mbajnë barrën e edhe pasojat edhe financiare, por edhe pasojat e tjera, e kjo e vështirëson jashtëzakonisht shumë realizimin e projekteve në komunën tonë edhe kjo ndikon drejtpërdrejt te qytetarët”, tha Latifi.


