Saturday, September 26, 2026
spot_img
HomeLajmeKurti pezullon zyrtarin që kishte aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Kurti pezullon zyrtarin që kishte aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Kryeministri Albin Kurti ka vendosur pezullimin nga puna të drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP), Hysen Muzliukaj.

Sipas vendimit të publikuar në Gazetën Zyrtare, pezullimi vjen pas ngritjes së aktakuzës ndaj Muzliukajt për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve zyrtare.

Pezullimi do të jetë në fuqi deri në përfundimin e plotë të procedurës penale, ndërsa gjatë kësaj periudhe Muzliukaj do të përfitojë 50 për qind të pagës së tij.

Muzliukaj ishte emëruar drejtor i Përgjithshëm i IKAP-it më 1 gusht 2025.

Vendimi i sotëm vjen pasi më 12 gusht 2026, me vendim të Qeverisë, Muzliukaj ishte emëruar kryesues i Komisionit të Pranimit për përzgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Qendrore të Prokurimit.

Ndaj tij është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private, në kohën kur ai ishte drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës.

Muzliukaj ishte arrestuar në korrik të vitit 2023 nga Prokuroria Speciale, së bashku me ish-nënkryetarin e Mitrovicës, Faruk Mujkën, ndërsa më pas ishte liruar për t’u mbrojtur në liri.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT