Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pritet të takohet sot me kryeministrin Albin Kurti, në orën 16:30, ku pritet të diskutohet edhe për projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Qeveria aktualisht është në pritje të një opinioni ligjor nga Ministria e Drejtësisë lidhur me ndryshimet e propozuara, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje është përmendur edhe konsultimi me ekipet e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Për këtë çështje është deklaruar dje edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila tha se vendimi i takon Kosovës, por theksoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së gjyqësorit.
Ndërkohë, Kurti sot nuk u deklarua për projektligjin, por tha se kanë nisur komunikimet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Ai e cilësoi këtë fundjavë si vendimtare, duke thënë se synimi është që javën e ardhshme Kosova ta ketë presidentin.
“Kemi filluar komunikimet dhe natyrisht që kjo fundjavë është vendimtare për të pasur marrëveshje që javën e ardhshme të kemi president”, tha Kurti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


