Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kubës prej dekadash që të hapur ekonominë e saj ndaj investimeve private dhe tregut të lirë. Megjithatë, ndërsa Havana ka ndërmarrë së fundmi reformën më të madhe ekonomike që nga revolucioni i vitit 1959, Uashingtoni ka vijuar të ashpërsojë sanksionet financiare dhe tregtare.
Në një intervistë për rrjetin mediatik Associated Press, ambasadori i Kubës në OKB, Ernesto Soberón Guzmán, ngriti pyetje mbi qëllimet e vërteta të diplomacisë amerikane dhe ndikimin e masave shtrënguese në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Nga çfarë keni frikë? Nëse jeni kaq të bindur se qeveria kubaneze është një qeveri e paaftë, pse keni nevojë të zbatoni sanksione të reja pothuajse çdo dy javë?” deklaroi Guzmán, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.
Diplomati kubanez nëvijoi se bllokada e naftës dhe masat e reja ndaj sektorëve të minierave, metalurgjisë dhe ndërtimit po krijojnë mungesa të thella të energjisë elektrike dhe karburantit, duke larguar investitorët e huaj dhe operatorët turistikë.
Qëndrimi i Uashingtonit dhe reformat në Havanë
Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit e mbrojti linjën e tij politike. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cilësoi lëvizjet e fundit të Havanës si përpjekje të pamjaftueshme për të mbajtur kontrollin politik mbi vendin.
“Sanksionet e reja do të vazhdojnë të shpallen për të mbyllur valvulat e shpëtimit që ata po përpiqen të krijojnë në çdo mekanizëm. Sfida me të cilën është përballur Kuba është se ata duan ta përmirësojnë disi ekonominë, por kanë frikë se do të humbasin kontrollin politik,” u shpreh Rubio.
Sipas analistëve ndërkombëtarë, reformat e shpallura nga Presidenti Miguel Díaz-Canel përfshijnë leje për bizneset private, të drejtën e import-eksportit pa ndërmjetësimin e shtetit, autorizimin e bankave private dhe mundësinë e investimeve nga diaspora.
Pavarësisht kësaj frymëmarrjeje ligjore, ekspertët nëviziojnë se pa një lehtësim të sanksioneve amerikane, realizimi i plotë i këtyre reformave mbetet një sfidë mjaft e vështirë për Havanën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


