Ish-zëdhënësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, beson se në procesin gjyqësor në Hagë do të triumfojë drejtësia.
Ai madje tha se e sheh këtë proces me qetësi të plotë, dhe nuk ka dyshime se do të konfirmohet pastërtia e luftës së UÇK-së.
“Si historian dhe si një njeri që gjithë jetën ia ka kushtuar lirisë dhe shtetndërtimit, unë e shoh këtë proces me qetësi të plotë”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për RTK-në.
“Nuk kam asnjë dyshim se në fund, kur të peshohen të gjitha faktet, drejtësia do të triumfojë dhe pastërtia e luftës sonë çlirimtare do të konfirmohet plotësisht”.
Krasniqi mendon se përmes këtij procesi do të vërtetohet edhe njëherë lufta çlirimtare si përpjekje e drejtë.
“Kam pasur fatin dhe nderin e jashtëzakonshëm të jem zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Armët e mia kanë qenë LAPSI dhe FJALA, përmes tyre kam prezantuar të vërtetën dhe vuajtjet e popullit tim para botës demokratike”.
“Besoj fuqishëm se ky proces do të shërbejë për të vërtetuar para historisë se lufta jonë është një përpjekje e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme për liri”.


