Sunday, August 30, 2026
spot_img
HomeShowbizKQZ nis rinumërimin në disa vendvotime në Mitrovicë, Kamenicë dhe Podujevë

KQZ nis rinumërimin në disa vendvotime në Mitrovicë, Kamenicë dhe Podujevë

Të hënën rreth mesnatës është përmbyllur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura nga jashtë Kosovës, të cilat janë dërguar përmes postës nga 22 shtete të ndryshme.

Pas kësaj faze, ka nisur rinumërimi i pesë vendvotimeve me urdhër të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa gjatë ditës së sotme do të vazhdohet me numërimin e fletëvotimeve me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.


Kështu ka njoftuar për Telegrafin, Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Të hënën rreth mesnatës, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës. Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë”, ka deklaruar Elezi.

Ai bëri të ditur se rinumërim të disa vendvotimeve do të ketë në tri komuna.

“Pas përfundimit të këtij procesi, në QNR ka filluar puna në rinumërimin e 5 vendvotimeve, për të cilat ka urdhëruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Patashtresa. Vendvotimet të cilat do të rinumërohen i takojnë komunave të ndryshme, si: Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06); Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01) dhe Podujevë (1807/02)”, theksoi ai.

Elezi shtoi se në vazhdim të aktiviteteve të planifikuara, gjatë ditës së sotme në QNR do të fillohet me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe atyre nga votimi i personave me nevoja të veçanta.

“Votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve”, pohoi ai.

Ndër të tjera, Elezi tha se fillimisht, planifikohet që të bëhet numërimi i fletëvotimeve me kusht nga komunat Deçan, Istog, Kaçanik, Fushë Kosovë, Kamenicë, Shtërpcë, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut, në të cilat tashmë është përmbyllur skanimi i listave të votuesve.

“Në votimin me kusht janë më shumë se 2,119 zarfe me fletëvotime që i takojnë dy lloje të zgjedhjeve, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është më shumë se 3,467”, shtoi ai.

Elezi deklaroi se gjithashtu në QNR është duke u zhvilluar procesi i skanimit të Listës së Votuesve.

“Ky hap është thelbësor për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, pasi skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy here: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht”, nënvizoi ai.

Zgjedhjet lokale janë mbajtur më 12 tetor./Telegrafi/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT