Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas ceremonisë mbyllëse të Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, ku Kosovës iu dorëzua zyrtarisht flamuri i Lojërave Mesdhetare, në shenjë të kalimit të organizimit te Prishtina 2030.
“Sonte në Taranto e pamë të ardhmen dhe zemra na rrahu për Prishtinën. Nga Taranto 2026, drejt Prishtinës 2030, aty ku ëndrra jonë do të marrë jetë dhe Kosova do ta mirëpresë Mesdheun me krenari! Po vjen koha jonë. Po vjen Prishtina 2030!”, ka shkruar Rama.
Siç njofton Komiteti Olimpik i Kosovës, flamurin e Lojërave Mesdhetare e pranoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në ceremoninë e mbajtur në Taranto, duke shënuar zyrtarisht kalimin e organizimit te nikoqiri i ardhshëm, Prishtina.
Ceremonia u zhvillua para më shumë se 20 mijë shikuesve, ndërsa flamuri i Kosovës u ngrit përkrah flamurit të Italisë dhe atij të Lojërave Mesdhetare.
Flamuri i Kosovës u dorëzua nga basketbollisti Adhurim Alijaj, ndërsa ngritja e tij u shoqërua me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës.
Në stadium u shfaq edhe videoja promovuese e “Prishtina 2030”, përmes së cilës u prezantua para publikut mesdhetar nikoqiri i ardhshëm i Lojërave.
Para ceremonisë së dorëzimit të flamurit, Kosovën në ceremoninë mbyllëse të “Taranto 2026” e përfaqësuan si flamurmbajtës karateisti Islam Selmani dhe Fortesa Orana.
Në stadium ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, me presidentin Ismet Krasniqi.
Me dorëzimin e flamurit, Prishtina zyrtarisht merr stafetën për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.


