Monday, June 29, 2026
spot_img
HomeLajmeKosova në pritje të marrëveshjes politike, a po shkojmë drejt zgjedhjeve të...

Kosova në pritje të marrëveshjes politike, a po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja? (VIDEO)

Analistët politikë, Ardian Gaxherri, Sali Rexhaj dhe Azdren Shala sot në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova diskutuan për situatën aktuale politike në vend, duke vlerësuar zhvillimet pas rezultateve të fundit zgjedhore dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike.

Shala tha se rezultati i fundit zgjedhor nuk përputhet me pritjet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke pretenduar se synimi i tij tashmë është sigurimi i një shumice që ai e quajti dominante.

“Albin Kurti me shumë bindje mund të them me ky rezultat nuk i pëlqen, çdo rezultat që atë e vendos nën 50 për qind, siç doli në këto zgjedhjet e fundit, për të është i pamjaftueshëm. Ai tash e ka një synim të ri në politikë, e synimi i tij në politikë është ta fitojë jo vetëm shumicën e thjeshtë, por një shumicë dominante”, u shpreh Shala.

Ndërkaq, Gaxherri kritikoi mundësinë e zvarritjes së procesit politik, duke thënë se një qasje e tillë do të ishte e dëmshme për vendin dhe demokracinë e tij.

“Ai nuk i ka marrë 60 për qind ashtu siç ka pretenduar dhe pretendon një pushtet absolut, andaj edhe dëshiron që ta dërgojë shtetin gjithë kohës në zvarritje, deri sa t’i lodhë njerëzit dhe një ditë të thonë “hajt se po ia japim 60 për qind”, por kjo është shumë e shëmtuar për shtetin tonë dhe njëkohësisht edhe për demokracinë në të cilën jetojmë”, tha ai.

Rexhaj u fokusua te nevoja për një marrëveshje politike, duke theksuar se koha për negociata po ngushtohet.

Sipas tij, rezultati zgjedhor është bërë i ditur shumë shpejt dhe sipas tij, partitë politike duhej të nisnin menjëherë bisedimet për formimin e institucioneve.

“Unë mendoj se koha për marrëveshje thuajse po skadon, sepse rezultatet janë ditur shumë shpejt dhe u pa që Vetëvendosja do ta dalë partia e parë dhe menjëherë do të ishte e logjikshme që të fillonte bisedimet për koalicionet, se në këtë rast nuk e kemi më vetëm Qeverinë dhe Kuvendin, por e kemi në pako edhe Presidentin. Nëse nuk ka marrëveshje në pako për të trija postet, atëherë shkojmë në zgjedhje, nuk ka rrugë tjetër”, deklaroi Rexhaj./Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT