Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditura detaje të reja për arsenalin e madh të armëve të sekuestruar gjatë operacioneve policore në Zubin Potok, në afërsi të zonave ku së fundmi janë zbuluar varreza masive me mbetje mortore të së paku 23 personave.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se nga 6 deri më 17 gusht janë kontrolluar gjithsej 48 lokacione, ku janë gjetur armë, municion, mjete shpërthyese, pajisje ushtarake dhe uniforma të Ushtrisë dhe Policisë së Serbisë.
Sipas tij, janë sekuestruar gjithsej 72 armë, mes tyre dy mitralozë, 11 AK-47, 22 armë të tjera të gjata, 27 pushkë gjuetie, nëntë pistoleta dhe një pushkë ajrore. Po ashtu janë gjetur granata dore, mjete piroteknike, uniforma dhe pajisje të tjera ushtarake.
Gjatë operacioneve janë sekuestruar edhe dokumente të ndryshme, leje armësh, kartela veterani, si dhe rreth 96 mijë e 100 euro dhe 5 mijë franga.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se një pjesë e arsenalit është gjetur në zonat përreth varrezave masive të zbuluara së fundmi në Zubin Potok.
Sipas tij, mbetjet mortore të së paku 23 personave janë gjetur në tri lokacione, ndërsa zbulimi i tyre dëshmon, siç tha ai, për përmasat e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe për përdorimin e veriut edhe për fshehjen e trupave të viktimave.
Sveçla ka kritikuar Serbinë dhe Listën Serbe për heshtjen lidhur me varrezat masive dhe arsenalin e armëve të zbuluar.
“Është shqetësuese heshtja e shtetit të Serbisë dhe dorës së saj të zgjatur në Kosovë, Listës Serbe, për këto zhvillime. Heshtja e tyre në fakt është mbështetje e hapur për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e tyre”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se ekzistojnë dyshime që disa prej armëve të sekuestruara mund të jenë përdorur në vrasjen masive të njohur si rasti i “Grupit të Intelektualëve”.
“Normal që këto janë dyshimet tona që pjesë të këtyre armëve që janë të ekspozuara mund të kenë qenë të përfshira në rastin e vrasjes masive te rasti i Grupit të Intelektualëve”, ka deklaruar Hoxha.
Ai ka sqaruar se lidhja eventuale do të mund të konfirmohet vetëm pas ekzaminimeve laboratorike në Kosovë dhe, nëse është e nevojshme, edhe jashtë vendit.
Të gjitha armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen analizave të detajuara për të përcaktuar origjinën, përdorimin dhe lidhjen eventuale me krimet e luftës apo raste të tjera kriminale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


