Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka mbërritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku sot do të paraqitet para trupit gjykues në kuadër të rigjykimit për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Seanca është paraparë të nisë nga ora 09:30.
Rasti lidhet me ngjarjet e 10 gushtit 2016, kur gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës ishte hedhur gaz lotsjellës në sallën plenare, duke ndërprerë punimet dhe detyruar deputetët dhe pjesëmarrësit e tjerë të largoheshin për shkak të tymit të krijuar.
Më 26 shkurt 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, duke vlerësuar se nuk ishte provuar se ai e kishte kryer veprën për të cilën akuzohej.
Ndërkaq, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, gjykata kishte refuzuar akuzën për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e ka prishur këtë vendim dhe e ka kthyer çështjen në rigjykim, duke bërë që rasti të shqyrtohet sërish nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Aktakuza ndaj Konjufcës ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 3 shkurt 2017. Sipas prokurorisë, ai, në cilësinë e deputetit, kishte përdorur gaz lotsjellës gjatë mbledhjes së Kuvendit më 10 gusht 2016, duke pamundësuar zhvillimin normal të seancës.
Sipas përshkrimit në aktakuzë, si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës, pjesëmarrësit në sallë ishin detyruar të ndërprisnin qëndrimin dhe të largoheshin nga ambientet e Kuvendit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


