Një delegacion i organizatës “Albanians For America”, i përbërë nga Doc Vranici dhe Gino Mulliqi, ka zhvilluar një takim me Kongresistin Bill Huizenga (R-MI), përfaqësues i Distriktit të 4-të të Miçiganit, me të cilin diskutuan çështje me rëndësi për komunitetin shqiptaro-amerikan.
Sipas njoftimit zyrtar, AFA e ftoi Kongresistin Huizenga t’i bashkohet Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongres dhe paraqiti disa prioritete kyçe të angazhimit, përfshirë mbështetjen për H.R. 6411, Aktin për Vlerësimin e të Drejtave të Njeriut dhe Diskriminimit në Luginën e Preshevës, si dhe avancimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e forcimit të lidhjeve ndërmjet komunitetit të madh dhe aktiv shqiptaro-amerikan në Miçigan dhe përfaqësuesve të tij të zgjedhur në nivel federal.
“Në këtë kontekst, u vlerësua roli i veçantë i Miçiganit si një nga shtetet kyçe në skenën politike amerikane, duke i ofruar komunitetit shqiptaro-amerikan mundësi të rëndësishme për të ndikuar në politikat publike dhe për të fuqizuar zërin e tij në Washington”, thuhet në njoftim.


