Monday, September 7, 2026
spot_img
HomeLajmeKonfirmohet nga Prokuroria për Sinjalin: re persona nën hetim, përfshirë kapitenin Besart...

Konfirmohet nga Prokuroria për Sinjalin: re persona nën hetim, përfshirë kapitenin Besart Ahmeti

Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë ekskluzivisht për incidentin në parkingun e Prishtina Mall, ku kapiteni i Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, dyshohet se ishte sulmuar nga dy persona në prani të bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij.

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Sinjalin se janë iniciuar raste ndaj tre personave të dyshuar.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala, deklaroi se personi me inicialet B.A. dyshohet për veprën penale “Kanosja”, E.M. për “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, ndërsa A.A. për veprën penale “Sulmi”.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se zyrtari policor ndaj të cilit janë ngritur dyshimet për keqtrajtim është Edon Mexhuani, pjesëtar i Njësisë për Reagim të Shpejtë.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast ndaj tre personave të dyshuar. Personi me inicialet B.A. dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosja’, personi me inicialet E.M. dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare’, ndërsa personi me inicialet A.A. dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘Sulmi’”, tha Shala për Sinjalin.

Ajo shtoi se prokurori po i ndërmerr të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Incidenti ndodhi rreth orës 13:40. Sipas burimeve të Sinjalit, njëri nga të dyshuarit për sulmin është Adonis Aliu, ndërsa në incident dyshohet se mori pjesë edhe një person tjetër. Të dy janë djemtë e zyrtarit policor Reshat Aliu.

Pas incidentit, ata u shoqëruan në Stacionin Policor në Graçanicë. Njëri prej tyre pretendon se është keqtrajtuar nga pjesëtari i NJRSh-së, Edon Mexhuani.

Sinjali raportoi se, pas shoqërimit të djemve të tij, Reshat Aliu dyshohet se shkoi i uniformuar dhe i armatosur në Stacionin Policor në Graçanicë, ku dyshohet se ndërhyri në punën e policëve që po e trajtonin rastin.

Për shkak të këtyre veprimeve, edhe ai u intervistua në cilësinë e të dyshuarit.

Në rast është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së incidentit dhe përgjegjësisë eventuale të personave të përfshirë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT