Komuna e Deçanit ka shkruar për promovimin e librit “Parajsa artificiale” nga shkrimtari i njohur, Ben Blushi.
Komuna bën të ditur se libri “Parajsa artificiale” u promovua në kuadër të aktivitetit me temën “Paqja, trashëgimia jonë e përbashkët”.
Shkrimtari Ben Blushi shpjegoi se ky libër është një dialog mes dy personazheve brenda 12 orëve, i ndarë në dy pjesë: Ferri dhe Parajsa, duke ofruar një reflektim të thellë mbi jetën dhe shoqërinë.
“Deçani ka burra shumë trima dhe gra mikpritëse, një vend me vlera të mëdha të traditës. Për mua është një kënaqësi e veçantë të jem sot për herë të parë në Deçan, përpara këtij publiku kaq të madh e të dashur, për të promovuar librin tim ‘Parajsa artificiale’”, ka thënë Blushi.
Pas prezantimit, Blushi zhvilloi një bashkëbisedim me të pranishmit, të cilët patën mundësinë të bëjnë pyetje mbi librin dhe krijimtarinë e tij letrare.
Në këtë aktivitet morën pjesë shkrimtarë, poetë, piktorë, gjeneralë, mësues, anëtarë të Asamblesë Komunale, artdashës të librit, nxënës dhe të ftuar të tjerë.
Një nga momentet më emocionuese të aktivitetit ishte ndarja e titullit “Ambasador i Paqes”, ku 14 personalitete u vlerësuan për kontributin e tyre në ndërtimin e një shoqërie më paqësore, n♪7 mesin e tyre ishte edhe Ben Blushi.
Sipas Komunës, nxënësit e gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” në Deçan lexuan 21 shprehje të zgjedhura nga libri “Parajsa artificiale”, duke përcjellë mesazhe të fuqishme për të pranishmit.
Piktori Musë Prelvukaj, i cili u nderua me titullin “Ambasador i Paqes”, dhuroi pikturën e tij të paqes për shkrimtarin e njohur Ben Blushi.
Në fjalën e tij, ai u shpreh: “Deçani, për gjashtë vite me radhë që marr pjesë në koloninë e piktorëve, më ka pritur gjithmonë me mikpritjen dhe traditën që i ka hije. Këtu ndihem mirë dhe sot, pikturën time të paqes ia dhuroj politikanit, gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Ben Blushi. Vlerat në duart e vlerave – për mua është një nder i madh”.
Në përfundim të aktivitetit, të pranishmit patën mundësinë të marrin një kopje të librit Parajsa artificiale me autografin e autorit Ben Blushi, si dhe të realizojnë fotografi me të. /Klankosova.tv
The post Komuna e Deçanit vlerëson figurën e Ben Blushit appeared first on Klan Kosova.





