Pas incidentit të raportuar në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, ku rreth 60 kursantë shfaqën probleme shëndetësore të dyshuara si pasojë e helmimit ushqimor, ka reaguar kompania e kateringut “SORI-AL”, e cila ofron shërbimin e ushqimit në institucion.
Në një deklaratë për mediat, kompania thekson se hetimi i ngjarjes duhet të përfshijë të gjithë zinxhirin e sigurisë ushqimore dhe jo vetëm procesin e përgatitjes dhe shpërndarjes së vakteve. Sipas saj, gjatë monitorimeve të kryera janë evidentuar raste kur në ambientet e Akademisë janë futur dhe konsumuar produkte ushqimore të siguruara jashtë sistemit zyrtar të furnizimit.
“SORI-AL” vlerëson se ky element duhet të merret në konsideratë nga institucionet përgjegjëse, pasi çdo ushqim i konsumuar jashtë kontrollit të kontraktuar mund të përbëjë një faktor që duhet verifikuar në kuadër të hetimeve.
Kompania ngriti gjithashtu shqetësime lidhur me kushtet higjieno-sanitare në ambientet ku konsumohen vaktet. Sipas deklaratës, është konstatuar mungesa e disa kushteve bazë, si mundësia për larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe detergjent para ngrënies. Gjithashtu, është vërejtur se shumë kursantë paraqiten për të konsumuar ushqimin menjëherë pas përfundimit të stërvitjeve.
Përfaqësuesit e kompanisë sqarojnë se këto vërejtje nuk synojnë shmangien e përgjegjësisë, por evidentimin e faktorëve që ndikojnë në sigurinë ushqimore dhe që, sipas tyre, duhet të analizohen në mënyrë të plotë dhe objektive.
“SORI-AL” deklaron se po bashkëpunon me institucionet kompetente dhe se pret rezultatet e analizave laboratorike të kampioneve të marra nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Paralelisht, kompania ka kryer edhe analiza të pavarura në një laborator të akredituar, në kuadër të sistemit të saj të autokontrollit.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit dhe për të identifikuar burimin e problemit që çoi në paraqitjen e dhjetëra kursantëve me simptoma të helmimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


