Wednesday, June 24, 2026
spot_img
HomeLajmeKolumbia e pandalshme, mposht Kongon dhe kalon tutje në Botëror

Kolumbia e pandalshme, mposht Kongon dhe kalon tutje në Botëror

Kombëtarja e Kolumbisë ka regjistruar fitoren e dytë në Kupën e Botës, duke mposhtur Kongon me rezultat minimal 1:0, në ndeshjen e raundit të dytë të Grupit K. Hero i takimit ishte Daniel Muñoz, i cili shënoi golin e vetëm në minutën e 76-të, duke i rikthyer kolumbianët në krye të grupit me gjashtë pikë, dy më shumë se Portugalia.

Ndeshja nisi me një rast të mirë për Kongon, por më pas Kolumbia mori kontrollin e plotë të lojës. Daniel Muñoz humbi një mundësi të artë në minutën e pestë, ndërsa vetëm dy minuta më vonë iu anulua një gol për pozicion jashtë loje.

James Rodríguez dhe Luis Díaz provuan disa herë nga distanca, por portieri Mpasi Nzau ishte në nivel të lartë dhe mbajti portën e paprekur në pjesën e parë.

Kolumbia vazhdoi dominimin edhe në pjesën e dytë. Luis Díaz dhe Jefferson Lerma iu afruan golit në minutën e 50-të, por sërish Nzau u tregua vendimtar. Nga ana tjetër, Kongo rrallë arriti të rrezikonte portën kundërshtare.

Rezistenca e afrikanëve u thye në minutën e 76-të, kur pas një aksioni të ndërtuar mirë, topi përfundoi te Daniel Muñoz, i cili me një goditje të saktë nga e djathta mposhti portierin kundërshtar për 1:0.

Vetëm pak çaste më vonë, Luis Díaz mendoi se kishte vulosur fitoren me dy gola të shpejtë, por të dy u anuluan. Në minutën e 79-të, gjyqtari Maurizio Mariani sinjalizoi faull në sulm, ndërsa një minutë më vonë sulmuesi kolumbian u ndëshkua për pozicion jashtë loje.

Me këtë fitore, Kolumbia ngjitet në vendin e parë të Grupit K me gjashtë pikë dhe siguron kalimin në fazën e eliminimit direkt, ndërsa Kongo mbetet në vendin e tretë me vetëm një pikë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT